Vrasja e Profesor Fehmi Aganit, apo koha kur Serbia dhe rekurtët e saj shqiptarë eliminonin personalitetet e rëndësishme politike e kombëtare

06.05.2018 15:49:35

 

Nga Rexhep Kastrati

Një muaj pa përfunduar lufta e armatosur në Kosovë, forcat serbe vranë Profesor Fehmi Aganin, i cili pas presidentit Rugova ishte personaliteti më i rëndësishëm i lëvizjes Liri, Pavarësi, Demokraci, e që ishte lëvizja më unike, më masive dhe më e plotë jo vetëm shqiptare, por edhe në përgjithësi në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Një listë për likuidimin e personaliteteve të rëndësishme politike, medietike e kombëtare që qarkullonte në koluare, e që më vonë do të bëhet publike, kishte shkaktuar shqetësimin se Serbia dhe reukrutët e saj shqiptarë kishin në plan që të eliminonin krerët e lëvizjes Liri, Pavarësi, Demokraci, në mënyrë që të vritet kjo lëvizje, e bashkë me të, edhe synimet e shqiptarëve për liri, për pavarësi dhe për demokraci.

Me vrasjen e Profesor Fehmi Aganit, e që kishte pasuar vrasjen e Enver Malokut, Profesor Latif Berishës, por edhe vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit dhe të shumë personaliteteve të tjera të rëndësishme politike e ushtarake, lëvizja për Liri, Pavarësi, Demokraci kishte marrë goditjen më të rëndë dhe ishte bërë e qartë se eliminimet politike dhe fizike do të jenë formë tjetër e vazhdimit të luftës kundër Kosovës.

Siç dihet tashmë, vrasjet politike të personaliteteve të rëndësishme politike, ushtarake e medietike, do të vazhdojë vite me radhë, duke synuar edhe spastrimin e skenës politike , ushtarake dhe medietike nga personalitete të rëndësishme, nxitjen e një konfliktualiteti politik, me synime drejt një lufte qytetare brendashqiptare, si dhe zëvendësimin e tyre me personalitete të ndryshme, edhe me lidhje të dyshimta, përkatësisht vegla kondomë që brenda LDK-së do të bënin punën e të tjerëve. Ky ishte procesi i marrjes së kalasë nga brenda në një formë tjetër, pas dështimit të marrjes së kalasë nga brenda nga grupi i Hydajet Hysenit.

Në fakt, procesi i marrjes së kalasë nga brenda, pra e pushtimit të LDK-së nga brenda nëpërmjet infiltrimit të individëve të dyshimtë, qoftë edhe nëprëmjet formave të ndryshme korruptive, shantazhit dhe të formave të tjera të ngjashme, nuk do të ndalet kurrrë, dhe që po vazhdon edhe sot e gjithë ditën.

Pasojat e vrasjes së Profesor Fehmi Aganit, sikurse edhe vrasjeve të tjera të mëhershme dhe të mëvonshme do të jenë shumë të rënda për lëvizjen për Liri, Pavarësi, Demokraci, e cila pas goditjes që mori më 28 shkurt 1998 kur grupi i Hydajet Hysenit do të çajnë LDK-në, si çarje e asaj lëvizjeje, pas luftës do të pasohet me vështirësi në aksionin politik të LDK-së, çarje e mbëshetësve të saj dhe kalimin e një pjese në parti të tjera.

Në aspektin strategjik, substancial dhe kombëtar, do të thellohet ndarja e Kosovës mbi baza etnike, duke realizuar kështu një nga synimet strategjike të Serbisë në Kosovë, do të sabotohet dhe do të bëhet diversion në strategjinë thelbësore të presidentit Rugova për mënyrën e realizimit të platformës kombëtare, dhe në mënyrën e zhvillimit të procesit politik strategjik dhe të proceseve të tjera të rëndësishme në vend.

Tashmë kur janë bërë 19 vjet nga vrasja e Profesor Fehmi Agani, dhe po aq nga atentati në strategjinë kombëtare të presidentit Rugova, LDK dhe Kosova po ballafaqohen me një fazë të ndjeshme të arsyeve të vrasjes së Profesor Aganit dhe të personaliteteve të rëndësishme: LDK është në një fazë të avancuar të pushtimit nga brenda, në një fazë të ndryshimit të bazës ideologjike të saj dhe të shmangies nga identiteti i saj politik dhe shtetëror, kurse Kosova po ballafaqohet me fazën e avancuar të ndarjes së Kosovës mbi baza etnike, pasi që pas krijimit të komunave me bazë etnike serbe, tash është duke u bërë shumë që Asociacioni të jetë një “Republika Srpska”.

Pra, bëhet fjalë për një fazë të avancuar të realizimit të proceseve të filluara qysh më 1998, pra edhe me vrasjet politike të personaliteteve të rëndësishme politike, ushtarake, medietike etj., e që po ka pasoja të rënda edhe për LDK-në, edhe për Kosovën.