Vreshtarët të pakënaqur me çmimin e shitjes së rrushit

22.10.2016 15:24:37

Kultivimi i vreshtarisë dhe prodhimi i verës, vazhdon të mbetet sektori më i zhvilluar në rajonin e Rahovecit dhe burimi kryesor i të ardhurave. “Kosova Vine” dhe “Shulina”, të vetmit që kanë bërë ngritje të çmimit.

Në Rahovec 70 përqind të sipërfaqes janë me rrush të verës, 30 përqind me rrush të tryezës. Çmimi nuk është i kënaqshëm, sepse kostoja e prodhimit është goxha e lartë, deklarojnë prodhuesit dhe institucionet e Rahovecit.

Vreshtarët në Rahovec tashmë janë në përfundim të fushatës për vjeljen e rrushit për këtë sezon dhe janë ndarë të kënaqur me rendimentet dhe cilësinë e lartë të këtij produkti bujqësor, mirëpo, nuk janë kënaqur edhe me çmimin e shitjes së rrushit.

Myfteren Zllanova, i cili me shumë vullnet kultivon rrush, thotë për KosovaPress se vreshtaria dhe prodhimi i verës është një sektor i zhvilluar dhe modern për këtë komunë, dhe sipas tij, rrushi jo vetëm që plotëson nevojat e brendshme, por ka arritur që të eksportohet me sukses edhe në tregjet e rajonit dhe anë e mbanë botës.

Zllanova i cili është në përfundim të vjeljes së rrushit, thotë se gjatë verës ka pasur disa dëme në vreshtarin e tij nga kushtet klimatike, ku reshjet e shiut edhe sot po pengojnë vjelën e rrushit. Sipas tij, çmimet e lira të rrushit po i dikton edhe tregu.

Nënkryetari i shoqatës së vreshtarëve “Vreshtari” në Rahovec, Hamit Makshana, deklaroi për KosovaPress se ky vit ka qenë i bereqetshëm në vreshtari, duke marrë parasysh edhe dëmet nga fatkeqësitë natyrore që kanë qenë gjatë kësaj vere.

Makashana thotë se 0.25 cent është çmimi i mesatares duke llogaritur të gjitha varietetet e rrushit. Llogaritet se me vreshta janë të mbjella në këtë komunë rreth 3 mijë hektarë, ku rendimenti vetëm për sivjet sipas nënkryetarit të shoqatës është mbi 3 milionë kilogram.

Sipas tij, ky sektor është mjaft profitabil për ata që kanë sipërfaqe më të mëdha se mbi tre hektarë. Në Rahovec 70 përqind të sipërfaqes janë me rrush të verës, kurse, 30 përqind me rrush të tryezës.

Ai tha se në përgjithësi mund të thuhet se 90 përqind e sipërfaqeve të mbjella me vreshta janë vjelë. Labinot Shulina, kultivues dhe grumbullues i rrushit në bodrumin “Sefa ëine” në Rahovec për KosovaPress, tha se fatmirësisht ka filluar tregu i rrushit dhe venave të stabilizohet dhe bodrumet që janë në Rahovec kanë filluar të gjejnë tregjet të reja, të fillojnë edhe eksportet e ndryshme.

Mirëpo, sipas tij, ky proces kërkon kohë dhe durim, sepse për të gjetur një treg duhet goxha punë dhe kohë, duke pasur parasysh konkurrencën mjaft të madhe.

Shulina tha se kryesisht Kosova është e orientuar që verërat më cilësore të fillojnë të shiten edhe në tregun e jashtëm.Qeveria ka filluar të përkrah këtë sektor me nga 1 mijë euro për hektarë, dhe vreshtaria vit për vit po zhvillohet e po avancohet.

Vreshtarët rahovecian me fanatizëm e ruajnë këtë kulturë të vjetër bujqësore, të cilat kanë mjaft profit.