Vret kushëririn në Greqi, në Shqipëri denoncon se e vranë

09.08.2016 09:00:10

Policia e Fierit zbardh dhe dokumenton vrasjen në Greqi të një shtetasi shqiptar. Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në lagjen numër 15, Durrës, është vënë në pranga pasi akuzohet se ka vrarë kushëririn e tij.

Ka qenë vetë autori Zaka, i cili së bashku me babanë e viktimës ka bërë kallëzimin në Policinë e Fierit se i kishin vrarë kushëririn Vladimir Murrizi, në Greqi.

Policia e Fierit në bashkëpunim me Interpolin dhe Policinë Greke ka bërë të mundur zbardhjen e krimit dhe gjetjen e trupit të viktimës.

“Më datën 07.08.2016, është paraqitur në Sektorin e Hetimit të Krimeve të rënda shtetasi Mersin Murrizi i cili ka kallëzuar se djali i tij, Vladimir Murrizi, është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitar shtetasin Denis Zaka, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi”.

Lidhur me këtë kallëzim, policia thotë se u kryen veprimet procedurale si: pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, u bë këqyrja e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale me të cilët kishte komunikime.

Nga kryerja e veprimeve procedurale lindën dyshime të bazuara se Zaka ishte autori i dyshuar i vrasjes.

Sipas policisë, dyshimet kanë lindur gjatë intervistës së Denis Zakës, i cili kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike.

I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi.

Policia e Fierit bashkëpunoi me Drejtorinë për Krimet e Rënda dhe Interpol Tirana dhe të gjitha të dhënat ju përcollën menjëherë autoriteteve policore greke, të cilat nga ana e tyre shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur.