Vriten pesë punonjëse dhe një shofer i aeroportit të Kandaharit

17.12.2016 23:15:11

Persona të armatosur kanë vrarë pesë punonjëse të aeroportit dhe shoferin e tyre në qytetin jugor, Kandahar, mëngjesin e 17 dhjetorit, bëjnë me dije zyrtarë në Afganistan.

Samim Khpolwak, zëdhënësi i guvernatorit krahinor i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gratë, punonjëse civile të aeroportit, kanë qenë rrugës për në punë kur së paku 3 persona të armatosur me motoçikleta kanë hapur zjarr ndaj tyre.

“Sulmuesit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa ne kemi hapur hetimet”, ka thënë ai.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet dhe asnjë arrestim nuk është bërë, ka shtuar më tej Khpolwak.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Kandaharit, Ahmadullah Faizi, i ka thënë AFP-së se gratë kanë qenë të punësuar nga një kompani private që bënte kontrollime të trupit dhe valixheve për pasagjerët femra.

Sipas Faizi, ato kanë qenë të shqetësuara për sigurinë e tyre pasi kanë pranuar kërcënime me vrasje nga njerëz që nuk janë pajtuar me karrierën e tyre.

Talebanët në të kaluarën kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulme të ngjashme.