Vuçiç: Do të kërkojmë nga Franca ekstradimin e Haradinajt

05.01.2017 12:25:12

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se Serbia do të kërkojë ekstradimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i ndaluar nga autoritetet franceze në Bazel.

Vuçiç u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se prokuroria ka një “numër të lëndëve kundër Haradinajt dhe askush nuk ka të drejtë që të rrënojë vendimet e organeve të drejtësisë – Prokurorisë së Serbisë”.

“Çka tjetër vetëm se të kërkojmë ekstradimin e tij”, tha Vuçiç. “Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, tha kryeministri i Serbisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia e Serbisë.