Vuçiq flet në emër të Listës Serbe: S’do ta mbështesim ushtrinë e Kosovës

12.03.2017 14:06:27

Zyrtarisht, Aleksander Vuçiq, është kryeministër i Serbisë, por ai faktikisht vendos edhe se çfarë deputetët serbë të Kosovës duhet e nuk duhet të bëjnë.

Kështu ka bërë edhe të dielën kur tha se Lista Serbe nuk do ta mbështetë në asnjë mënyrë dhe rrethanë ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, njofton Klan Kosova.

“Serbia e as Lista Serbe nuk mbështesin formim të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai, raporton Tanjug.

Vuçiq ka shtuar se në dialogun në Bruksel asnjëherë nuk është diskutuar formimi i ushtrisë së Kosovës – përkundër se Vuçiq e di, si udhëheqës i një shteti, se një vend nuk dialogon me një tjetër për themelimin e ushtrisë së vet.

Këto deklarime ai i ka bërë kur është pyetur për zhvillimet e fundit në Kosovës, zërat për ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotimin e fundit të Thaçit, që po s’u bë ushtria ai do të japë dorëheqje.