Vuçiq, ndërkombëtarëve rreth dialogut: Mos na bëni presion, hiqeni taksën

11.04.2019 20:40:20

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos vazhdojnë të ushtrojë presion ndaj vendit të tij, kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas mediave serbe, Vuçiq ka thënë se nuk do të heq dorë nga qëndrimi se vazhdimi i dialogut me Kosovën do të ndodhë vetëm pas heqjes së taksës.

“Mos i bëni thirrje Serbisë. Hiqeni taksën dhe ne do të vijmë vetë”, citohet të ketë thënë a Vuçiq në një tubim në Novi Sad.

Taksa ndaj produkteve të saj e vendosur nga Qeveria e Kosovës, vazhdon ta “mundojë” Serbinë dhe përfaqësuesit e saj institucional.

Madje, siç është thënë më herët, Qeveria e Serbisë ka angazhuar një firmë të huaj që të lobojë për të në Washington.

Siç shkruante VOA në gjuhën serbe, duke u thirrur në dokumentin zyrtar, kjo firmë do të lobojë për Serbinë “te të gjitha palët e interesuara në Amerikë (duke përfshirë edhe zyrtarët e qeverisë amerikane) lidhur me disa çështje të bashkëpunimit rajonal”.

Sipas dokumentit të publikuar në gjuhën angleze, përcjell Telegrafi, lobimi tek pala amerikane do të përfshijë, përveç temave të bashkëpunimit rajonal, edhe çështjen e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës.