Vuçiq: Pse shkuam në Bruksel nëse duhet t’i ndjekim ligjet e Kosovës?

12.04.2018 14:57:53
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e ka mohuar se marrëveshja e Brukselit përcakton që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet sipas ligjeve të Kosovës.

Ai ka thënë se ishte pajtuar që ky komunitet të formohej vetëm pas ndryshimit, domethënë ‘vendosjes’ së rregulloreve ligjore, transmeton lajmi.net.

Vuçiq është shprehur se nuk qëndron një vendim i tillë dhe se pjesa zbatuese e Marrëveshjes së Brukselit thekson se kjo do të rregullohet me vendosjes e rregulloreve ligjore dhe rendit juridik në Kosovë.

“Kur të ndodhin të gjitha ndryshimet pastaj vjen konfirmimi i Gjykatës Kushtetuese e cila ka të drejtën vetëm ta konfirmojë dhe mos ta mohoj apo ndalojë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka pyetur se nëse çdo gjë duhet të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës atëherë pse është dashur që Serbia të shkojë në Bruksel?

Vuçiq ka shtuar se kritikët e tij e presin dështimin e Serbisë.

Sipas tij, nëse Prishtina nuk i miraton marrëveshjet atëherë të gjitha bisedimet do të ishin të pakuptimta dhe të panevojshme.

Presidenti serb ka bërë të ditur se së shpejti Beogradin do ta vizitojë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti i Këshillit Evropian, Doland Tusk, kështu që kjo do të jetë një mundësi e mirë për të parë se si njerëzit e interpretojnë marrëveshjen.