Vuçiq: Zgjidhja është njohja e Kosovës

10.08.2016 18:07:44

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot në parlamentin serb në Beograd se “nyja Gordiane” rreth çështjës së Kosovës do të tejkalohej me njohjen e Kosovës.

“Zgjidhja e vetme aktuale për Kosovën, ajo që do të zgjidhte nyjen gordiane, do të ishte që qeveria e Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, këtë qeveria nuk mundet dhe nuk do ta bëjë”, ka thënë Aleksander Vuçiq, duke u përgjigjur në mesin e qindra pyetjeve në seancën që po vazhdon, e ku është pyetur edhe se si do të zgjidhet çështja e Kosovës.

Parlamenti serb sot është duke e mbajtur seancën gjatë së cilës deputetët kanë të drejtë t’i shtrojnë pyetje Vuçiqit.

Ky i fundit është paraqitur para ligjvënësve serbë me përbërjen e qeverisë së re, tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për mandatin e ri të pushtetit qendror.