Vushtrria në këmbë për Ramush Haradinajn (Foto)

03.02.2017 14:09:34

Sikurse në shumë qytete të Kosovës, edhe në Vushtrri sot është protestuar për shkak të arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar vite më parë nga shteti serb.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se arrestimi i Ramush Haradinajt është i padrejtë, pasi që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.”Haradinaj me luftën e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij, nuk luftoi vetëm për lirinë e Kosovës, por të të gjithë shqiptarëve. Lufta kundër Serbisë ka qenë e drejt dhe pikërisht për këtë është përkrahur edhe nga NATO.

Të gjithë tashme janë të bindur se arrestimi i tij është padrejtësi dhe kjo sjellje nga drejtësia franceze tregon se ende ka lidhje të caktuara, të cilat duan ta pengojnë Kosovën”, deklaroi Isufi, i cili tha edhe se mentaliteti i Serbisë nuk ka ndërruar, pasi që ajo udhëhiqet nga bashkëpunëtorët e Millosheviqit dhe Sheshelit.

Qindra të pranishmëve të protestë me fjalim rasti iu drejtua edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, i cili tha se arrestimi i Haradinajt i nxitur nga shteti serb është i padrejtë dhe se ai duhet të lirohet.

“Arrestimi nuk është partiak, por është historik, sepse dihet çka ka bërë ai dhe familja e tij për çlirimin e Kosovës, por është edhe politik sepse dihet që ai është kryetar i AAK-së dhe ish kryeministër i Kosovës. Kjo nuk është protestë partiake, por është protestë kombëtare. Kosova ka pasur gjithmonë miqësi me Francën dhe besoj qe shteti francez do të veproj si duhet, kështu që do ta liroj Haradinajn nga ky arrestim i padrejtë”, tha kryetari Mulaku.

Në anën tjetër, kryetari i degës së AAK-së në Vushtrri, Lutfi Bilalli tha se Vushtrria ka traditë të kundërshtimit të çdo padrejtësie. “Edhe sot po ashtu jemi mbledhur këtu për ta kundërshtuar këtë padrejtësi, pra për ta përkrahur lirimin e Ramush Haradinajt, i cili është figurë emblematike dhe kjo përkrahje e juaj ka domethënie të madhe”, tha Bilalli.

but2