VV akuzon qeverinë për dëbim të aktivistëve të saj nga Kosova

20.07.2016 12:58:04

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë akuzuar kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe qeverinë e tij, që përmes policisë dhe pushtetit po dëbojnë aktivistët e kësaj partie nga shteti i Kosovës.

Vetëvendosje konsideron se ky dëbimi i aktivistëve të saj jashtë Kosovës, ka prapavijë politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca u ka thënë gazetarëve se aktivistët e Vetëvendosjes nga Shqipëria Dejona Mihali, Bojken Abazi dhe Arbër Zaimi, nuk lejohen që të hyjnë në territorin e Kosovës për shkak të siç ka thënë ai, urdhrave të pushtetit vetëm për faktin se janë aktivistë të VV-së. Ai ka treguar se aktivistit Bojken Abazit, i është ndaluar hyrja në Kosovës për një periudhë prej dy vjetësh.

Konjufca ka kërkuar llogari nga kryeministri Isa Mustafa, dhe presidenti Hashim Thaçi që të  tregojnë se kush e dha urdhrin që Dejona Mihali të mos lejohet të hyjë në Kosovë, kujt i konvenon që aktivistët e Shqipërisë të mos jetojnë në Kosovë, kush është përgjegjës për persekutimin e aktivistëve vetëm pse i takojnë VV-së, si dhe kush po i pengon gjykatat që t’i shqyrtojnë rastet e aktivistëve të proceduara ndaj këtyre policëve.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu, tha se aktivistët e VV-së janë arrestuar në bazë të halucinacioneve të pushtetit. Sipas saj, vendimet e lëshuara për tre aktivistët e VV-së, nuk janë specifikuar arsyet e këtij përfundimi.

Ajo tha se në shoqëritë demokratike, masa më e rëndë ndaj qytetarëve është heqja e lirisë së lëvizjes, derisa shtoi se një gjë e tillë po u bëhet aktivistëve të tyre.