VV bënë thirrje për protesta masive

04.08.2016 14:40:06

Pas debatit të djeshëm për demarkacionin me Malin e Zi, një ditë pas këtij debati Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka proceduar projektligjin për demarkacionin

Mbrëmë në orët e vona, Lëvizja Vetëvendosje bëri thirrje për protesta, me qëllim për ta kundërshtuar dhe ndaluar votimin e marrëveshjes në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi

Thirrjes së VV për protestë iu përgjigjen dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të Vetëvendosjes, të cilët për rreth dy orë qëndruan para Kuvendit të Kosovës, ndërkohë, që brenda këtij institucioni po mbahej seanca plenare.

Përfaqësuesë të Vetëvendosjes, iu bënin thirrje qytetarëve që të qëndronin para Kuvendit deri sa të siguroheshin që marrëveshja për demarkacionin nuk po ratifikohet.

Me të kuptuar që marrëveshja e demarkacionit nuk është paraparë që të jetë pikë e rendit të ditës, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu para protestuesve kumtoi lajmin, që marrëveshja për pikën kufitare me Malin e Zi nuk do të hedhet në votim.
Ai madje shtoi se Qeveria u mundua që të kontrabandoj këtë marrëveshje por presioni qytetarë dhe organizimi i tyre e ndalen kontrabandimin e kësaj marrëveshje, ku më tej, ai theksoi që nuk do të lejojnë që toka e Kosovës t’i jepet siç tha ai qeveritarëve të korruptuar.

Sejdiu gjithashtu para qytetarëve tha se në debatin e mbrëmshëm e qartësoi se Qeveria jo vetën që nuk ka argument por nuk e ka as popullin pas.

Pak para përfundimit të protestës së sotme, Sejdiu edhe njëherë ka ftuar qytetarët që të jenë të gatshëm e vigjilent që të mos lejojnë kalimin e kësaj marrëveshje.

“E qartë që nga mbrëmë, kjo Qeveri ka provuar të kontrabandoj këtë marrëveshje, është e qartë që nuk kanë as argument dhe as popull pas. Është e qartë që kanë falsifikuar dokumentet në mënyrë që të na tregojnë që kinse nuk po falin tokë, por ja që nga dje kjo u faktua edhe me argumente. Nga sot ne fillojmë rezistencën dhe sa herë që kjo Qeveri mundohet të kontrabandoj në Kuvend, ne do të organizohem në numër të madh, do të organizohemi në shesh dhe nuk do të lejojmë kontrabandimin, por është e domosdoshme që secili prej nesh veç e veç, me familje e me shok të jemi të gatshëm e vigjilent që të mos lejojmë që kjo Qeveri në mënyrë perfide të kontrabandoj këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk kalon”, tha Sejdiu.

Ai gjithashtu tha që të sigurohen që falja e territorit të Kosovës të mos ndodh, mund të sigurohet vetëm me protest a masive.

“Lus gjithë qytetarët dhe gjithë aktivistët që janë sot këtu të punojnë me qytetarë, aktivist e miq që të jemi gati për protestat e radhës, duhet të sigurohemi që falja e territorit të Republikës së Kosovës mos të ndodh, dhe këtë e sigurojmë vetëm me protesta masive, vetëm me rritjen e presionit qytetarë dhe vetëm duke u bërë bashkë”, bëri thirrje Sejdiu.

Para protestuesve veç nënkryetarit të komunës së Prishtinës, ka folur edhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha. Ai përmendi edhe përgjimet e publikuara të shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ku tha se këto përgjime janë treguesit se si Murat Meha është zgjedhur në krye të Komisionit për demarkacionin.

“Përgjimet e publikuara ditë më parë tregojnë edhe mënyrën se si është vendosur Murat Meha në krye të Komisionit. Po ashtu, se si janë vendosur edhe anëtarë të tjerë të Komisionit për Demarkacion. Andaj, tregojnë karakterin e tyre, karakterin e një gjenerate të shpifur, një gjenerate hajnash, një gjenerate të korruptuar. Këta njerëz nuk mund të bëjnë demarkacion, këta nuk kanë kredibilitet as për të mbajtur një kotec të pulave e për të vendos për të ardhmen e vendit, e për kufijtë tanë”, theksoi Hoxha.

Protestues pas deklarimit të nënkryetarit Sejdiu u shpërndanë të qetë, ashtu siç u zhvillua protesta pa ndonjë incident.

SHPËRNDAJE