VV: GJENDJA ENERGJETIKE ËSHTË E RËNDË

04.03.2018 15:15:59

Mungesa e energjisë elektrike është e papërballueshme për qytetarët, sidomos për ata që jetojnë në zonat më të thella të Kosovës. Kështu ka deklaruar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila përmes një konference për media ka thënë se gjendja energjetike në Kosovë është e rëndë.

Ajo ka bërë të ditur se qysh nesër do të kërkojnë interpelancë me kryeministrin Ramush Haradinaj, nga i cili do të kërkojnë sqarime për këtë gjendje.

“Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë, përveç në Prishtinë qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë në secilin qytet e fshat dhe në këto ditë të ftohta dimri kjo gjendje është e papërballueshme sidomos për qytetarët të cilët jetojnë në varfëri. Po ashtu, për ata që jetojnë në zona më të thella. Me gjithë këto probleme deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje nga qeveria për mungesën e energjisë elektrike, faturat e fryra dhe largimin e punëtorëve. Ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mashtrimin dhe vendimin e paligjshëm të ZRRE-së i cili shpenzimet e qytetarëve serb ja faturon qytetarëve shqiptar dhe komuniteteve të tjera. Andaj, qysh nesër ne do ta dërgojmë kërkesën për interpelancë me kryeministrin Haradinaj për të dhënë sqarime për këtë gjendje të rënduar”, tha ajo.

Deputetja Haxhiu ka kujtuar kohën kur është privatizuar Korporata Energjetike e Kosovës, duke thënë se atëherë u ishte thënë se do të ketë investime që do të garantonin furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike, si dhe se nuk do të kishte largime të punëtorëve nga puna.

E pas gjashtë viteve kur është privatizuar KEK-u, Haxhiu thotë se të gjitha ato kanë qenë mashtrime, pasi sipas saj në periudhën e pikut orët e ndërprerjeve janë rritur.

Ulja e humbjeve teknike dhe komerciale nuk ka asnjë përmirësim sipas deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, përkundrazi ajo tha se raportimet zyrtare të zyrës së Rregullatorit tregojnë për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte publike.

Faturat e mospagimit, vjedhjes së energjisë iu shpërndan sipas Haxhiut paligjshmërisht çdo konsumatori që ka paguar në mënyrë të rregullt energjinë elektrike. Për këtë ajo tha se ende nuk ka dhënë përgjegjësi penale askush.

“Komunat veriore ende nuk e paguajnë drejtpërdrejt energjinë, atë KEDS drejtuar nga Limak Çalik ua faturon të gjithë shqiptarëve në komuna të tjera të Kosovës. Në këto 6 vite çmimi i energjisë elektrike sipas kërkesës së koncericiumit privat është rritur 4 herë nga Zyra e Rregullatorit, kjo me arsyetimin fals të mbulimit të kostove nga defektet në gjenerim të energjisë. Situata lidhur me punëtorët dhe përjashtimet e tyre nga puna është tepër shqetësuese. Janë 95 punëtorë të larguar vjeshtën e vitit 2015 dhe 75 të tjerë të larguar në maj të vitit 2016. 40 punëtorë janë larguar përmes presioneve e shantazheve për ta lënë vendin e punës dhe mbi 200 punëtorë të tjerë iu është komunikuar vendimi për largim. Çdo ditë në këtë koncercium përgatiten taktika për të iu shmangur kontratës dhe ligjit të punës dhe për të demotivuar ata punëtorë që kanë kontrata të përhershme për t’i zëvendësuar me një numër më të vogël punëtorësh të rinj më të keq paguar”, tha Haxhiu.

Ndërsa, përfaqësuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, tha se duhet të ngritët vigjilenca dhe kujdestaria në të gjitha strukturat e sistemit energjetik.

Një nga rekomandimet e tij ishte edhe heqja dorë nga projekti TC Kosova e Re, të cilin ai e quajti projekt të pakuptimtë.

“Sanimi i ndërtimit të kundërligjshëm në Shipitullë, dy qeveritë e fundit i kanë njerëzit e tyre me katër këmbë të involvuar në këto dallavere në ndërtimin e shtëpive në Shipitullë. Secila gjen disa zgjidhje fantome të cilat ne nuk e dimë se çka kanë zgjedh, çka kanë bërë. Prandaj, duhet dal një qeveri e cila në fund të fundit duhet ta mbrojë autoritetin e shtetit dhe Qeverisë, sepse ato kanë qenë dokumente që janë lëshuar prej niveleve më të larta. Heqja dorë nga projekti më i shëmtuar dhe më i fëlliqur TC Kosova e Re, kurrgjë më keq dhe ma shtrenjtë dhe ma pakuptim nuk ka ndodhur në këtë historinë e 20 vjetëshit të fundit sesa projekti Kosova e Re. Nëse ka kuptim ndërtimi i termocentralit në bazë të linjitit, posaçërisht si ky i joni ka kuptim se është ajo energji më e lira, e jo nëse është më e shtrenjtë se importi i energjisë elektrike. 80 euro për 1 megavat orë është praktikisht masë shtrenjt i që mundet me qenë dhe nuk i jep kurrfarë baze ndërtimit të një termocentrali të tillë, atëherë, shoqëria civile ka plotësisht të drejt”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të bëhet apel dhe vetëdijesim i qytetarëve për kursim të energjisë elektrike.