VV kërkon hetim parlamentar për Demarkacionin, e quan mashtrim deklaratën Thaçi-Vujanoviq

16.02.2018 14:37:21

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se marrëveshja për Demarkacion në mes dy presidentëve, është mashtrim.

“Kjo deklaratë e Thaçit me homologun e tij malazez është e papranueshme, e padrejtë dhe mashtruese. Së pari teksti i kësaj deklarate nuk është dashur të nënshkruhet pa njoftimin, dijeni dhe diskutimet në institucionet e Kosovës.

Kjo deklaratë rikonfirmon marrëveshjen e 26 gushtit të 2015 të nënshkruar në Vjenë. Rezultatet e komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e territorit të kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, janë shpërfillur tërësisht në këtë deklaratë “, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksua se deklarata është e ndryshme në gjuhën shqipe dhe atë angleze, pasi që sipas tij në deklaratën shqip mungon pika e gjashtë.

“Deklarata Thaç-Vujanoviq është mashtrim. Kuvendi duhet urgjentisht të formojë komisionin hetimor parlamentar ku do të shqyrtohet çështja e Demarkacionit me Malin e Zi dhe VV qysh sot do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për këtë iniciativë”, tha Kurti.