VV merr vendim: Propozimi për mandatarin për kryeministër dërgohet ditëve në vijim

08.01.2020 12:22:11

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes.

Para mediave, Arbërie Nagavci që së fundmi u zgjodh nënkryetare e parlamentit ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së partisë së saj është diskutuar për dërgimin e shkresës tek presidenti me emrin e kryeministrit, shkruan lajmi.net.

Ajo tha se kjo do të bëhet në ditët në vijim.

“Në mbledhje të kryesisë ne diskutuam dhe morëm vendim që në bazë të Kushtetutës, që VV t’i dërgojë shkresë formale presidentit me emrin e kryeministrit. Pas kësaj presim që presidenti ta dekretojë këtë. Kanë rifilluar diskutimet me LDK-në dhe presim që të finalizohet marrëveshja”, tha Nagavci.

Lidhur me marrëveshjen me LDK-në, Nagavci theksoi se VV duhet të njoftohet me kërkesat e kësaj partie dhe se grupi punues është duke e finalizuar marrëveshjen.

“Ne presim që të dijmë se cila është kërkesa e LDK-së, diskutimet do të vazhdojnë, kryesia i ka dhënë mandat të plotë grupit punues për lidhjen e marrëveshjes. Është e rëndësishme të dijmë çfarë po kërkon LDK-ja, sepse i kemi dëgjuar disa nga deklaratat e LDK-së”, ka thënë Nagavci.