Walcott largohet nga Arsenali

05.12.2017 23:02:42

Futbollisti anglez nuk është më në planet e trajnerit Arsene Wenger Arsenali e ka vënë në shitje Theo Walcottin, të cilin dëshiron ta largojë qysh në muajin janar, për të mbledhur para që të bëjë blerje gjatë verës.

Walcott ka hasur në vështirësi për të zënë një vend në formacionin startues të Arsenalit këtë sezon, duke zhvilluar vetëm tri ndeshje si zëvendësues në Premier Ligë. Për 28-vjeçarin është folur edhe më herët që do të largohet nga Emirates Stadium, por këtë herë duket se edhe vetë trajneri Wenger është bindur që më e mira për të dyja palët do të ishte shitja e tij.

West Ham dhe Southampton janë dy skuadrat më të interesuara më reprezentuesin anglez, i cili është pjesë e ‘Topçinjve’ që nga viti 2006, ku në 267 paraqitje ka realizuar 65 gola.