Walker: Jam kritik ndaj klasës politike të Kosovës, por më shumë kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare

14.01.2020 18:44:06

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker është i zhgënjyer me situatën që ka të bëj me personat e pagjetur në Kosovë.

Walker në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se të gjithë e dinë që në Kosovë gjërat pas luftës nuk kanë shkuar mirë.

“Gjërat nuk kanë shkuar mirë pas luftës dhe për këtë nuk mund t’i fajësoj as institucionet e Kosovës por as ato ndërkombëtare. Ndoshta faji është sa i njërës edhe i tjetrës për shkak se kanë ardhur gjykatës nga e mbarë bota dhe është pritur që drejtësia të vihet në vend”.

“Jam shumë kritik ndaj klasës politike të Kosovës por edhe më shumë kritik jam ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe përpjekjes së tyre për të udhëzuar udhëheqësit e Kosovës dhe për të vendosur standarde këtu”.

Walker thotë se është duke përcjellë edhe procesin e gjykimeve në Hagë ndaj shqiptarëve por thotë është i befasuar pse askush nuk po merret me krimet që kanë kryer forcat serbe në Kosovë ndaj shqiptarëve.

“Kam parë Millosheviqin e disa të tjerë por asgjë nuk është ndërmarrë ndaj komandantëve që kanë qenë pjesëmarrës në masakra të ndryshme ndër të tjera edhe nga ajo e Reçakut”.

Ish-ambasadori i OSBE-së thotë se i vjen çudi pse në përkujtimet e masakrave në Kosovë nuk e sheh asnjë ambasador të vendeve mike të Kosovës.

Ai thotë se e kupton që ambasadat nuk dëshirojnë ti hedhin benzinë zjarrit dhe se sipas tij ata dëshirojnë që gjërat e këqija të së kaluarës duhen harruar.

Por, ai thotë se në Amerikë asnjëherë nuk e harrohen tragjedinë e Perl Harbour-it ku janë vrarë me mijëra ushtarë amerikanë nga Japonia.

“Kjo nuk do të thotë se ne po duam të nxisim luftë. Edhe Kosova e bota duhet ta përkujtoj sakrificën e këtyre njerëzve”, tha ndër të tjera Walker.