Ambasadori William Walker i cili senzibilizoi botën për masakrën e Reçakut dhe shkaktoi intervenimin e NATO-s në Kosovë, sot është takuar me familjarët e disa prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës. Gjatë qëndrimit në Pejë, ambasadori Walker është takuar me familjarët e Val Zekajt, Genc Sefajt dhe Esat Kafexhollit.
“Ambasadori Walker tha se rasti i Kumanovës duhet të ndriçohet njëjtë sikurse masakra e Reçakut. Ai ishte kategorik në qëndrimin se duhet patjetër të zbulohet se kush organizoi skenarin e Kumanovës dhe kush e bëri këtë tradhti”, deklaroi për Lajm Ismajl Zekaj, babai i Val Zekajt.
Ambasadori William Walker po qëndron në Kosovë në kuadër të shënimit të 18 vjetorit të Masakrës së Reçakut, masakër e cila tmerroi botën dhe solli deri te intervenimi i NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë.