Wieland porosit të mos harrohet e kaluara e shqiptarëve të Kosovës

03.01.2019 17:31:07

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, sot ka vizituar Komunën e Drenasit, ku u ndal në xhaminë e fshatit Zabel i Ulët, me ç’rast u prit nga imami Valon Bequku dhe kryetari i komunës Ramiz Lladrovci.

Imami i xhamisë Bequku, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas, ka njoftuar Wieland për tolerancën fetare në këtë fshat dhe në Drenas.

Gjatë qëndrimit në Xhaminë e fshatit Zabel i Ulët, Wieland, ka përgëzuar qytetarët e Komunës së Drenasit për tolerancën fetare dhe ka thënë se për këtë ndjehet i lumtur që është qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

Pas kësaj vizite, Wieland së bashku me kryetarin Lladrovci dhe kryetarin e Skenderajt Bekim Jashari bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai me këtë rast ka dhënë edhe një porosi që të mos harrohet e kaluara e popullit shqiptar.

“Unë kam dëgjuar nga kryetari i komunës tuaj se sa njerëz kanë këtu për vizitë, miliona njerëz. Unë siç e kam përmend edhe herën e kaluar, se duhet t’ju tregohet njerëzve të rinj që mos të harrohet ajo se çfarë ka ndodhur. Gjithashtu duhet t’ju mësoni atyre që mos të vazhdojnë të urrejnë”, porositi Wieland.

Pas homazheve në Prekaz, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian do të vizitojë fabrikën e Feronikelit dhe komunën e Drenasit.