Wolfgang Petritsch: Intervenimi i NATO-s “i paligjshëm”, qëndrimi i Francës “tronditës”!

25.03.2019 19:20:52

Nga  Muhamet Hamiti

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, emisar i veçantë i BE-së për Kosovën në vitet 1998-99, kryenegociator i BE-së në bisedat e paqes për Kosovën në Rambuje dhe Paris në shkurt-mars të vitit 1999, e ka quajtur të “paligjshëm” bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, sepse simbas tij “ka qenë kundër të drejtës ndërkombëtare”, . Është tronditur pse Franca – “ky aleat shekullor i serbëve” – ia ka kthyer shpinën Serbisë në atë kohë.
Wolfgang Petritsch (1947), që tash është i angazhuar me punë te firma juridike (e avokaturës) me emërtimin “Lansky, Ganzger & Partner” (shih www.lansky.at) , e cila punon për Qeverinë e Serbisë, ka bërë këto komente gjatë një diskutimi me titull “20 vjet nga bombardimi i NATO-s, a ka të ardhme Ballkani?”, organizuar nga lëvizja e solidaritetit austriako-serb në Vjenë.
Petritsch ka mohuar fjalët se SHBA-të kishin planifikuar luftën parapaksht intervenimin e NATO-s ndaj caqeve strategjike serbe në pranverën e vitit 1999.
“Nuk jam mik i militarizmit amerikan, por i pari që ka thënë se kanë dështuar negociatat [për Kosovën] ka qenë Parisi, zyrtarët e të cilit kanë dhënë shenjën se tani punët do t’i merrte në dorë NATO-ja. Kjo për mua ka qenë tronditëse, sepse Franca ka qenë aleat shekullor i serbëve në të gjitha luftërat”, ka theksuar Wolfgang Petritsch, “duke shtuar se Serbia duhet të shtrojë pyetjen pse atëherë miku shekullor ua kishte kthyer shpinën”, njofton televizioni shtetëror i Serbisë, RTS.
Do përkujtuar se në vjeshtën e kaluar, kur pat marr intensitet ideja serbe e ndarjes së Kosovës, që ndokush e pat përkthyer si shkëmbim territoresh apo ‘korrigjim kufijsh’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petritsch-i ka qenë në favor të këtij të fundit.