Xhafer Tahiri: Nuk mund të lejojmë të turpërohemi me rezultate si të PISA-s!

05.02.2018 18:44:54

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri me bashkëpunëtorë kanë qëndruar në fshatin Druar, ku kanë përuruar shkollën e re, e që mban emrin e patriotit rilindas, Abdyl Frashëri.

Duke u shprehur për kushtet e mira që ofron kjo shkollë, kryetari Tahiri, ka shprehur po ashtu edhe gatishmërinë për t’u angazhuar personalisht dhe qeveria komunale për krijimin e kushteve sa më të mira për mësim në institucionet arsimore të kësaj komune.

Ky është postimi i plotë i z. Tahiri:

Sot përuruam shkollën e re “Avdy Frashëri” në fshatin Druar! Tani nxënësit e kësaj shkolle do të mund të ndjekin mësimet në kushte shumë më të mira se sa që kanë qenë deri më tani, kurse arsimtarëve u është mundësuar një ambient i përshtatshëm për punë dhe mbarëvajtje të procesit mësimor. Me këtë rast dua t’iu uroj për shkollën e re me dëshirën që të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë në këtë shkollë. Ne si institucione komunale do të angazhohemi edhe më shumë që të sigurojmë kushte dhe ambient më të përshtatshëm për nxënësit dhe arsimtarët e komunës sonë, të krijojmë hapësira dhe ambiente adekuate edhe për mësim praktik, duke synuar kështu që të rrisim cilësinë e arsimit në të gjithë komunën tonë!
Më nuk mund të lejojmë të turpërohemi me rezultate si ato të PISA!