Xhaka e Shaqiri duhet vlerësuar, racizmi serb duhet dënuar!

23.06.2018 19:00:18

Nga Rexhep Kastrati

Serbia vazhdon ta instrumentalizojë edhe sportin për qëllimet e saj jo thjesht politike, por më tepër se kaq, për qëllimet e saj raciste, ksenofobe, albanofobe dhe shoveniste. Si në kohën e Milosheviqit, në Serbi dhe kudo në botë ku mund ta realizojnë, serbët shpërfaqin hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve.

Ndërkohë që bota po bën përpjekje të madhe për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, serbët shpërfaqin urrejtje në gjithçka shqiptare, qoftë duke i parë me mosdurim, me një qasje neurotike dhe me shpërfaqje histerike çdo simbolikë, çdo gjest dhe çdo shpërthim emocional të shqiptarëve, edhe në kompeticione të tilla si kampionati botëror, si dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje kriminale, sociopatike dhe të marra për shfarosjen e shqiptarëve.

Serbëve u pengojnë edhe atletet që kanë flamurin e Kosovës, edhe puthitja e duarve në formën e shqiponjës, dhe për të gjitha këto fajtorë janë shqiptarët, që u dashkan të dënohen. Dhe kjo shpërfaqje histerike, sociopatike dhe albanofobe, kujton një kohë, kohën e Milosheviqit, kur shqiptari ishte fajtor për gjithçka, e të cilën gjendje, Ali Podrimja e ka përjerësuar në vargjet e tij në poezinë “fajtor është shqiptari”.

Dhe është e qartë se fajtor për serbët janë shqiptarët pse luajnë futboll, pse janë të talentuar, pse shënojnë gola dhe përmbysin rezultate, kurse nuk na qenkan fajtorë serbët që thërrisnin edhe në Kaliningrad “vrsini shqiptarët”!

Bota që bën fushata kundër racizmit, duhet t’i dëgjojë këto thirrje raciste, sepse jo që nuk kanë lidhje me sport, jo që nuk kanë lidhje me vizionin për një botë të të gjithëve dhe pa racizëm dhe diskriminime të tjera, por janë thirrje për të zhdukur një popull, ashtu siç provuan ta bëjnë gjatë viteve 1998-1999, dhe siç kanë provuar ta bëjnë së paku që  nga shekulli XIX, por edhe më parë.

E thirrje të tilla, pra janë dëgjuar edhe në një ndeshje të kampionatit botëror, pra në ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, e që mbahet në orgamizim të FIFA-s, e cila, po ashtu, bën fushatë kundër racizmit.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që ka vite që luajnë për Zvicrën, dhe që janë ndër më meritorët për sukseset e saj, u janë shmangur provokimeve të futbollistëve serbë, kanë injoruar edhe thirrjet raciste në tribuna nga ana e militantëve serbë, dhe kanë zhvilluar një ndeshje më shumë se korrekte, më shumë se të kujdesshme dhe kanë shënuar gola për të fituar ndeshjen.

Me asgjë, këta futbollistë dhe gjithë futbollistët tjerë të Zvcirës, qofshin shqiptarë apo të tjerë, nuk kanë bërë asnjë gjest racist, asnjë provokim, asnjë sjellje josportive, por janë munduar të bëjnë një lojë për një rezultat pozitiv.

Këta futbollistë duhet të vlerësohen për durimin, për lojën korrekte, profesionale dhe për sjelljen sportive që kanë treguar. Bota duhet ta shohë me shqetësim racizmin serb, i cili vazhdon të jetë edhe pjesë substanciale e politikë dhe e shtetit serb, e që është shpërfaqur qysh para ndeshjes nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Një Serbi e këtillë, nuk ka të bëjë fare me sportin, nuk ka të bëjë fare me vlerat pozitive që i promovon edhe FIFA, edhe bota e qytetëruar, dhe si e tillë vazhdon të shpërfaqë një mendësi shoveniste, arkaike dhe kundërperëdnimore.

Shqiptarët janë krenarë me lojën dhe me golat e Xhakës dhe të Shaqirit, edhe për bukurinë dhe madhështinë e lojës së tyre, edhe për sjelljen e tyre sportive, edhe për shpërfaqjen e vlerave më të mira edhe kombëtare, edhe njerëzore, edhe sportive edhe qytetëruese.