Xhemë, në kohën e jolirisë, njerëzit rezonojnë me logjikën e robit!

23.11.2017 18:37:39

Nga Rexhep.Kastrati

Ku është liria sot, miqtë e mi? – është një pyetje aktuale edhe sot, Xhemë! Është aktuale, sepse po e jetojmë jolirinë, po e jetojmë kohën kur po na vrasin vullnetin, po na e vrasin dinjitetin, po na e vrasin përditshmërinë, po na e vrasin të ardhmen!

Xhemë, lufta speciale dhe lufta fizike për të rrënuar rugovizmin, për të rrënuar projektin liri, pavarësi, demokraci, po vazhdon pa ndërprerje: eliminimi fizik i personaliteteve si ti, si Enver Maloku, si Shaban Manaj, si Ismet Rraci, si Afrim Maliqi, si Shyqri Popova dhe si i shumë të tjerëve, po vazhdon me eliminime politike, diskualifikime dhe përdhosje me të njëjtin qëllim: eliminimi i personaliteteve të devotshme dhe zëvendësomi i tyre me rekrutë dhe me mercenarë të ndryshëm!

Xhemë, sot të shesin për një pozitë, sot të shesin për një tender, sot të shesin për një përfitim sado të vogël! Dhe sot të qajnë edhe ata që bënin apologjinë e krimit! Po të mund të shihje se si ata që zhvillonin fushata primitive kur vrasjet ishin të shpeshta, sot shajnë, ose bëjnë që shajnë ata që i lartësonin dhe i heroizonin kur ty dhe të tjerët ju vrisnin, do të pajtoheshe me mua se absurdin që ka përfshirë Kosovën nuk do ta përshkruante as Beketi, madje as Shekspiri!

Po Xhemë, po! Po se veglat kondomë brenda e rreth LDK-së, e që derdhin lotë krokodili, kanë zënë vend dhe shesin për rugovizëm të kundërtat e tij, që me këta lot mundohen të fshehin angazhimet e tyre kundër LDK. Megjithatë nuk po mund të them: Shyqyr që nuk je në mesin tonë, se edhe ty do të të shpallnin kundër-rugovist! Dhe nuk po them, sepse po të ishe ti dhe të tjerët që nuk janë më, nuk do të kishim rënë kaq poshtë!

Xhemë, mjerë ne që jetojmë në një kohë kur lufta brenda partive për eliminime politike është më e rëndë se në totalitarizëm, kur klientelizmi dhe babëzia klanore është shumë e madhe dhe që po vret lirinë politike, lirinë e shprehjes dhe lirinë për të qenë i lirë!

Prandaj, edhe pas 17 vjetësh, pyetja: Ku është liria sot, miqtë e mi?, është shumë aktuale dhe, për fat të keq, ka një përgjigje: Në kohën e jolirisë, njerëzit rezonojnë me logjikën e robit! Kur si individë dhe si shoqëri të lirohemi nga logjika e robit, atëherë do të kuptojmë lirinë e vërtetë, për të cilën ia vlen të angazhohesh! Dhe vetëm atëherë do të kuptohet pesha e vendosmërisë tënde dhe të tjerëve si ti, për të qëndruar dhe për t’u angazhuar për lirinë! Vetëm atëherë do të kuptohet kuptimi i vërtetë, thellësia dhe gjerësia e trinomit: liri, pavarësi, demokraci!

Deri atëherë, Xhemë jemi të dënuar ta jetojmë jolirinë dhe të jemi robër të saj!