Xhudistja që mposhti Majlinda Kelmendi është “partnerja” e Putin

27.06.2019 15:01:43

Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e artë në Lojërat Europiane që po zhvillohen në Bjellorusi, duke mundur në finale një xhudiste ruse. Por, Natalia Kuziutina nuk është një emër i panjohur në mbarë botën.

Ajo u bë e famshme pak muaj më parë pasi u fotografua me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, teksa i jepte këtij të fundit leksione mbi xhudon. Madje në stërvitjen e përbashkët me ekipin kombëtar rus në Socci, Putin mori një lëndim në dorë, teksa po i tregonte Natalias, aftësitë e tij të mprehta në xhudo.

Asokohe, Putin u hodh në tapet nga Beslan Mudranov, por edhe nga 30-vjeçaria Natalia Kuziutina, e cila kishte marrë medaljen e bronztë për Rusinë në Lojërat Olimpike.

E dje për fatin e saj të keq, Natalia u mund nga Kelmendi, duke marrë vetëm medaljen e argjendtë në Lojërat Evropiane – Minsk 2019.