Ymeri: Fondi Sovran do të investojë në rritjen e vlerës së Trepçës

26.05.2017 22:01:39
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri ka shkruar në Facebook se bashkë me Albin Kurtin në Trepçë,  takuan kryesinë e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Stan Tërgut dhe vizituan Muzeun Kombëtar të Mineraleve.
“Fondi Sovran do të investojë në rritjen e vlerës së Trepçës, veçanërisht në rritjen e kapaciteteve prodhuese në miniera e flotacion, e në rritjen e kapaciteteve përpunuese në Metalurgjinë e Plumbit e të Zinkut. Trepça është baza e industrisë së Kosovës, pasuri e çmueshme kombëtare. Një industri prodhuese që krijon vende pune. Vendet e punës në industri kërkojnë punë të kualifikuar. Punëtorit të kualifikuar nuk mund t’i japësh pagë të ulët. Sa më të larta pagat e punëtorëve aq më e drejtë shpërndarja e pasurisë. Sa më të larta pagat aq më e madhe kërkesa për prodhime ushqimore të prodhuara te ne. Masat e VETËVENDOSJE! do t’i përmirësojnë kushtet e punës për punëtorët e minatorët. Orari i punës nuk do t’i tejkalojë 40 orë në javë. Ndërkohë që minatorëve do t’u krijohen kushtet për pensionim të parakohshëm e pension adekuat që ua mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Ymeri.