Ymeri: Me kodin telefonik Kosova bëhet pjesë e telekomunikacionit të Serbisë

16.12.2016 14:19:16

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thënë sot se me kodin 383 Kosova bëhet pjesë e Serbisë në fushën e telekomunikacionit.

Deklarata e Ymerit:

ITU i ndau për përdorim kodin +383 “rajonin gjeografik të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, siç thuhet në letrën që Sekretari Gjeneral i ITU-së i dërgoi ministrit serb të sektorit, si përgjigje në letrën e këtij të fundit të datës 2 dhjetor dërguar ITU-së;

• ITU zotohet se këtij rajoni gjeografik, pra “Krahinës Atonome të Kosovës e Metohisë”, do t’i referohet si “Kosovo” dhe në secilin rast kur në anekset teknike përdoret ky emërtim, ai do të jetë i përcjellë me fusnotën e njohur tashmë;

Çmimi për Kosovën: Sovraniteti, sepse “Telekom Srbija” do të zgjerohet në Kosovë;

• Thirrjet nga Kosova në Serbi do të trajtohen si thirrje të brendshme pa pasur nevojë për përdorimin e prefiksit +383.

• Këtij Telekomi i falet një pjesë e infrastrukturës së telefonisë, duke vepruar kështu në përputhje me pretendimet e Serbisë se prona publike e shoqërore në Kosovë është e saj. Ky është precedent i rrezikshëm në raport me energjetikën, Trepçën, Brezovicën, fondin e privatizimit, etj.

• Kompanisë së Telekomit të Serbisë i falen 1 miliard e 202 milionë borxhe të akumuluara gjatë viteve të pasluftës së ndërhyrjes ilegale brenda sistemit të telekomunikimit dhe mospagesës së detyrimeve karshi PTK-së e Buxhetit të Republikës së Kosovës.

• Kompania amnistohet nga krimet e bëra në Kosovë në periudhën 1990-1999.

Ky është bilanc jashtëzakonisht negativ. Prandaj nuk duhet pranuar.
Ende nuk ka përfunduar.

ARKEP në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk bën të nënshtrohet politikisht e ta jap licencën për “Telekom Srbija”. Këta janë autoritet i pavarur dhe kanë përgjegjësi ta ndalin këtë pushtim të Serbisë në fushën e telekomunikacionit.

PTK në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk bën t’ia japë pronën e telekomunikimit kompanisë publike të Serbisë. PTK është ndërmarrje në pronësi të publikut në Kosovë dhe duhet t’i jap llogari qytetarëve e jo pushtetarëve.