Ymeri: Shqiptarëve në Preshevë po u vështirësohet jeta

21.10.2016 18:54:44

Lideri i Vetëvendosjes Visar Ymeri i ka pritur sot në selinë e tyre kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, dhe kënkryetarin e Komunës së Preshevës, Xhelal Memeti.

Ata kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, të cilëve, siç u tha në takim, të përndjekur e të diskriminuar nga Serbia, e të shpërfillur nga Prishtina e Tirana, për çdo herë e më shumë po u shkelen të drejtat, po u përkeqësohet e vështirësohet jeta.

“Shqiptarët që jetojnë historikisht në këto 3 komuna janë një ndër bashkësitë më të diskriminuara e më të rrezikuara të Evropës. Ky rrezik dhe diskriminim vjen nga Serbia e cila pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërkohë që aplikon praktika represive karshi shqiptarëve”, shkruan Ymeri në Facebook.

Sipas tij, institucionet publike të shqiptarëve në Tiranë e Prishtinë duhet urgjentisht ta ngenë zërin dhe ta luftojnë këtë diskriminim e përndjekje ndaj shqiptarëve.

“Është e papranueshme që Serbia të mos kushtëzohet deri sa ajo të mos e ndryshojë politikën e saj shtypëse karshi shqiptarëve, e hegjemoniste karshi shteteve të rajonit. Bashkëpunimi, afrimi e miqësimi me Vuçiqin nuk është i ndarë prej të kaluarës së tij kriminale e së tashmes së tij shtypëse. Në rrethanat aktuale, kur heshtet karshi qeverisjes së Vuçiqit, bashkëpunimi me të rrezikon të shndërrohet në legjitimim të shtypjes.Politika e Tiranës dhe e Prishtinës, e bashkërenduar, duhet ta ketë në fokus mirëqenien, barazinë, e të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”, thotë Ymeri.

Ajo, sipas tij, duhet t’u shërbejë shqiptarëve dhe të garantojë se ata nuk do të jenë viktima të përndjekjes e shpërnguljes.