Zbrazja e veriut të Kosovës dhe e Medvegjës nga shqiptarët në funksion të ricopëtimit të territoreve shqiptare

17.08.2018 10:50:56

Nga Rexhep Kastrati

Informacionet se shqiptarët në veri po ua shesin pronat serbëve, e që kanë filluar të qarkullojnë sërishmi, kanë riaktualizuar edhe një herë këtë çështje, e cila është e hershme dhe në përputhje me strategjinë për ndarjen etnike të Kosovës, përkatësisht që nga kohë e luftës dhe e pasluftës.

Në këtë kontekst, duhet thënë se shqiptarët në veri janë ballafaquar vazhdimisht me forma të ndryshme të trysnisë, por edhe me mosmbështetjen absolute të institucioneve të Kosovës, dhe edhe me pengesa për t’u rikthyer në pronat e tyre.

Është për të theksuar se pas luftës, shqiptarët e pjesës veriore janë penguar që të shkojnë në veri, e që është ilustruar me rastin e marshimit të tyre në krye me mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor për të shkuar në vendet e tyre të punës në spitalin në veri, e që janë penguar nga Hashim Thaçi.

Që atëherë është bërë e qartë se ka një strategji për ndarjen etnike të Kosovës, e në të cilën linja e Tiranës/Kretës dhe aleatja e saj, linja udbasho-jugosllavokomuniste, janë përfshirë fuqishëm dhe e kanë pasur dhe e kanë si mision kryesor të tyre.

Këtë e ka përforcuar edhe një takim i fshehtë i Bajram Rexhepit me strukturat serbe në veri, si kryeministër, e të cilëve ua kishte dhënë idenë që ta bashkonin veriun e Mitrovicës me Zveçanin që ta bënin një komunë të madhe me shumicë serbe.

Të gjitha këto kishin bërë që shqiptarët e mbetur në veri të braktiseshin dhe të liheshin në duart e strukurave të Serbisë atje, e që quheshin strukura paralele, të cilat përdornin çdo formë të mundshme të trysnisë për t’i detyruar që të lëshonin pronat e tyre dhe të kalonin qoftë në pjesën jugore, qoftë në pjesë të tjera të Kosovës, apo edhe jashtë saj.

Edhe pse të vendosur që të mbronin vatrat e tyre, shqiptarët në veri, të braktosur nga institucionet e Kosovës, të nëpërkëmbura nga institucionet komunale në veri, janë detyruar që të braktisin pronat dhe të kërkojnë zgjidhje që rezultat kishin dhe kanë brakstisjen e vendbanimeve në veri të Kosovës.

Kështu ka ndodhur edhe me territoret shqiptare në Kosovën Lindore, ku Serbia, në mënyrë institucionale dhe joinstitucionale ka ushtruar trysni mbi shqiptarët atje që të braktisinin pronat e tyre, vendbanimet e tyre, territoret e tyre dhe të vendosen qoftë në Kosovë, qoftë në shtetet e ndryshme edhe në Perëndim.

Si rezultat i gjithë trysnisë, Medvegja thuajse është spastruar plotësisht, Bujanovci në masë të madhe, kurse Presheva, po ashtu ndjeshëm.

Është e qartë se spastrimi i veriut nga shqiptarët, dhe spastrimi i Medvegjës, por edhe i vendbanimeve të tjera, ka qenë dhe është pjesë e projekteve kundërshqiptareserbo-ruse, qoftë për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, qoftë edhe për forma të tjera të ricopëtimit të territoreve shqiptare.

Me spastrime të tilla, de facto, Serbia, me ndihmën e linjës së Tiranës/Kretës dhe të linjës udbasho-jugosllavokomuniste, ka vizatuar kufij të rinj etnikë, dhe kufij të ndarjeve të reja të territoreve shqiptare, duke përfshirë veriun në tërësi, dhe duke mbajtur pjesën më të madhe të Kosovës Lindore, sidomos Medvegjën, e cila ka rezerva të mëdha të arit, të lithiumit, të sinkut etj.,

Në këtë kontekst, i ashtuquajturi shkëmbim i territoreve, i paralajmëruar nga Hashim Thaçi qysh më 2001, dhe i institucionalizuar si qëllim gjatë këtij viti, por i përmendur vazhdimisht gjatë viteve nga ai dhe nga Rexhep Qosja, del të jetë vetëm përmbyllje e strategjisë serbo-ruse për ricopëtim të territoreve shqiptare, dhe për të hapur kështu çështjen e ndryshimit të kufijve në rajon, dhe krijimin e Serbisë së Madhe.