Zbulimi i hershëm shpëton jetë, mamografi falas në disa fshatra të...

Zbulimi i hershëm shpëton jetë, mamografi falas në disa fshatra të Prishtinës

02.10.2019 11:54:16

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Meqenëse tetori është Muaji Ndërkombëtar kundër kësaj sëmundje, komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë thirrje për gratë dhe vajzat që të vizitojnë qendrat shëndetësore në 5 fshatra të kryeqytetit dhe të informohen sa më mirë për këtë sëmundje, dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj.

Kjo pasi Drejtoria e Shëndetësisë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, kanë filluar fushatën dhe ligjëratat sensibilizuese “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë” deri më 7 tetor, ku të gjitha gratë mund edhe të kontrollohen pa pagesë për të zbuluar nëse kanë këtë sëmundje.

Përgjithësisht, me kancer të gjirit preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja.

Fushata dhe ligjëratat sensibilizuese “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë” do të mbahen deri më 7 tetor në Keqekollë, Besi, Bardhosh, Hajvali dhe Mramor sipas këtij orari:

QKMF – 01.10.19, ora 8:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Besi;

QKMF – 02.10.19, ora 8:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil pë gratë nga fshati Bardhosh;

QMF Hajvali – 02.10.19, ora 11:00-12:00 – ligjërata informuese dhe bashkëbisedim për gratë e fshatrave Hajvali dhe Mramor;

QKMF – 03.10.19, ora 8:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Hajvali;

QKMF – 04.10.19, ora 8:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Mramor;

AMF – 04.10.19, ora 11:00 – 12:30 – ligjeratë informuese për gratë e fshatit Keqekollë;

QKMF – 07.10.19, ora 8:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Keqekollë.

Mesatarisht, 1 nga 8 gra diagnostikohen gjatë jetës me kancer të gjirit. Mbrojtja më e mirë është zbulimi i hershëm.

Mamografia është një metodë e përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një mamografi bëhen të dukshme edhe tumoret më të vegjël shumë më parë se të jenë të ndjeshëm me të prekur ose të njihen nga simptomat e tjera.