Zbulohet “binjaku” i Tokës, planeti me kushte për jetë

13.08.2016 20:13:24

Astrofizikanët nga Observatori Jugor Evropian (ESO), deri në fund të gushtit do të japin detajet për një eksoplanet të ri, një “binjak” të Tokës, në orbitën rreth yllit Proksima Centauri – sistemin më të afërt me Sistemin Diellor, shkruan Der Spiegel.

Planeti i ri, i cili ende nuk është emëruar, mendohet se ka ujë të lëngshëm – që është kusht i rëndësishëm për ekzistencën e jetës aty.

Kurrë deri sot astronomët nuk kanë zbuluar planet aq të ngjashëm me Tokën, e që është vetëm 4.24 vite dritë larg.

Zëdhënësi i ESO-s, Richard Hook, ka thënë se është i njohur me artikullin, por nuk pranon të komentojë

Të gjesh këtë trup kozmik ishte punë shumë e vështirë”, citon gazeta një astrofizikan që ka kërkuar të flasë në kushte anonimiteti.

NASA (agjencia amerikane hapësirës) njoftoi një vit më parë se zbuloi një eksoplanet të ngjashëm me Tokën, por shumë larg: 1400 vite drite. Eksoplaneti i quajtur Kepler-452b, ka rreze 60 për qind më të mëdha se Toka, dyshohet se ka masë shkëmbore, një atmosferë të trashë dhe një sasi të madhe të ujit.

Kepler-452b është një nga dymbëdhjetë eksoplanetet e reja të listuara në katalogun e fundit të zbulimeve nga teleskopi hapësinor Kepler. Që këto eksoplanete të jenë të regjistruara, duhet të kenë diametër të dyfishtë në krahasim me Tokën, duhet të jenë në orbitë të yjeve jashtë Sistemit Diellor dhe që uji në sipërfaqe të tyre të jetë në formë të lëngshme – gjëra këto që e bëjnë potencialisht të banueshëm.