Zbulohet një pjesë e ditarit të Astrit Deharit, i ndjeri ankohej se nuk po mund të qëndronte me nënën e tij

11.11.2016 15:28:04

 

Sa herë familja Dehari e ka vizituar Astritin në burg, ata vazhdimisht kanë qenë të shoqëruar nga një komisar i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Kjo del të mos i ketë pëlqyer të ndjerit – sipas një faqeje të një ditari që pretendohet se Astrit Dehari e shkroi derisa po qëndronte në paraburgim në Prizren, si i dyshuar për sulmin e gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës.

Aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, që u gjet të shtunën i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka mbajtur një ditar gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar i arrestuar si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në objektin e Kuvendit të Kosovës që u vlerësua si terrorist.

Portali “Indekonline”, të premten, ka publikuar një pjesë nga ky ditar – ndonëse origjinaliteti i tij nuk është konfirmuar ende. Sipas portalit, faqet e këtij ditari, 62 sosh, përmbajnë rrëfime dhe detaje të Deharit në lidhje me komunikimin e tij me familjen dhe aktivistët e LVV-së, gjatë kohës sa ishte duke qendruar i paraburgosur si i dyshuar për terrorizëm.

Në letrën e publikuar nga “Indeksonline”, aktivisti që u varros të martën në Prishtinë, Astrit Dehari, ku tregon se si aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk e lejonin asnjëherë të qëndrojë vetëm me prindërit e tij, apo me motrën e bashkëshorten, pa qenë edhe dikush prej tyre prezent – gjatë kohës së vizitave në paraburgim.

Ai shkruan se si sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj, i ka thënë të mos mërzitet për faktet rreth akuzave që e rëndonin për sulmin ndaj Kuvendit, pasi e kishte siguruar se me këtë pjesë do të merrej Lëvizja.