Zbulohet pasuria e Kelmend Balilit, ja pronat që zotëron nëpër Shqipëri

17.12.2016 16:26:35

Kelmend Balili është pronar i disa bizneseve në Sarandë, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për si objekt i ligjit Antimafia.

‘BalkanWeb’ ka publikuar të dhënat e bizneseve të “Eskobarit të Ballkanit”, që rezulton të jenë vetëm dy por me aktivitet në shumë fusha,

Konkretisht në 18 janar 2010, ai ka regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve hapjen e një restoranti, respektivisht në Ksamil shumë pranë rrugës nacionale “Sarandë-Butrint” në një godinë 3 katëshe, afërsisht 18 kilometra pranë Parkut Kombëtar të Butrintit. Balili është pronari i vetëm i këtij restoranti, fakt që del për herë të parë. Ky biznes figuron ende në pronësi të Balilit dhe ndryshe nga sa është përfolur në media ndaj tij nuk figuron asnjë vendim për sekuestro.

Biznesi i dytë i regjistruar po në emrin e tij është firma “Montana”, e cila ka në fokus kryesor të veprimtarisë së saj tregëtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve, lëndëve djegëse dhe nënprodukteve të tyre. Pranë QKR-së, Balili ka regjistruar të drejtën e kësaj kompanie edhe për të organizuar transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave të tyre, thënë ndryshe, një agjenci të mirëfilltë udhëtarësh.

Kelmend Balili është gjithashtu 100% aksioner i kësaj kompanie e cila është themeluar në 30 qershor 2008 dhe ka regjistruar aktivitetin deri në 30 qershor të vitit 2058. Prej kohës kur ndaj “Eskobarit të Ballkanit” është lëshuar një urdhër arresti ai ka nxituar të pezullojë aktivitetin e kompanive të tij, ndoshta në tentativë për t’i shpëtuar një sekuestroje të mundshme. Dhe ia ka arritur sepse zyrtarisht këto prona nuk janë prekur ende nga efektet e ligjit Antimafia.