Zbulon municion gjatë pastrimit të pronës

21.08.2016 12:33:31

Policia bën me dije se një person nga fshati Prekovc i Novobërdës ka gjetur një sasi të madhe municioni derisa po pastronte pronën e tij.

Municionin e gjetur ky person sipas raportit njëzetekatër orësh të policisë e raportoi mbrëmë, ndërsa tregoi se pronën ku gjeti municionin e ka blerë më herët.

Policia bën me dije se municioni është konfiskuar, ndërsa pronari atë e gjeti në një thes najlloni të mbushur përplot.

“Njësiti policor ka konfiskuar municionin ( 366 fishekë M62, 5 karikatorë të pushkës automatike dhe 26 karikatorë të pushkës gjysmë-automatike, një thikë të  pushkës automatike, një vazhdues tromblloni, si dhe pajisje për pastrimin e armëve,” thuhet në raport.

Edhe një person tjetër nga Gjakova ka raportuar dje në polici gjetjen e 160 fishekëve të kalibrit të panjohur, derisa ishte duke i hapur themelet e shtëpisë së re.

Në qershor të këtij viti një qytetar në Klinë që kishte blerë shtëpinë nga një pjesëtar i komunitetit serb, kishte gjetur aty njëmbëdhjetë granata dore, një kallashnikov me nëntë karikatorë, 470 fishekë, një kilogram eksploziv plastik dhe gjashtë copë detektorë elektrikë.