Zbutja e masës së sigurisë për policin dhe mësuesin të dyshuar për rastin në Drenas, sqarohet Prokuroria

03.05.2019 21:15:07

Gjykata Themelore e Prishtinës ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore për ndryshimin e masës së sigurisë për V.V dhe Sh.Xh të dyshuar për rastin e të miturës në Drenas nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ky vendim i Gjykatës është kritikuar në media dhe nga opinioni publik, ndërkohë Prokuroria Themelore me anë të një kumtese për media ka sqaruar vendimin e tyre për ndryshim të masës së sigurisë.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin se Departamenti për të Mitur, më 02.05.2019, ka ushtruar Propozim për zëvendësimi e masës së paraburgimit, si masë më e rëndë e sigurisë, në një masë alternative, masën e arrestit shtëpiak, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për dy të pandehurit V.V., dhe Sh.Xh.

Prokurori i rastit, ndaj të pandehurve të lartcekur, ka zhvilluar të gjitha hetimet, si dhe ka siguruar të gjitha provat materiale të nevojshme lidhur me këtë rast penal.

Propozimi i ndërrimit të kësaj mase nga prokurori i rastit, është bërë konform dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duke mos harruar asnjëherë se edhe masa e arrestit shtëpiak është masë e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurën penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke ua shqiptuar masën e arrestit shtëpiak dy të pandehurve, për dy muaj, periudhë kjo e mjaftueshme deri në momentin e ngritjes së aktakuzës nga prokurori i këtij rasti.