Zëdhënësi i Ilir Metës përgënjeshtron mediat: Presidenti s’ka nevojë të lobojë, në Strasburg për të mbrojtur shqiptarët

18.09.2019 13:17:27

Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta ka përgënjeshtruar lajmin e ndarë në disa media ku aludohej lidhur me vizitën e kreut të shtetit në Strasburg. Përmes një reagimi, Tedi Blushi sqaron se vizita e presidentit në Strasburg është takim pune. Meta sipas Blushit nuk ka nevojë të lobojë për veten, por shkon atje për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Reagimi i plotë

I njoftojmë përsheshngrënësit e portaleve në të zezë të dezinformojnë më me dinjitet. Presidenti Meta është për vizite pune në Strasburg dhe i shoqëruar në çdo takim nga përfaqësuesit diplomatikë të shtetit shqiptar pranë Këshillit të Europës.

I sqarojmë përsheshngrënësit se Presidenti Meta do ta vizitojë më shpesh Strasburgun, kryeqytetin e të drejtave të njeriut, pasi vetëm respektimi i tyre çliron të ardhmen europiane të vendit nga pengmarrja e oligarkisë nga e cila këta mashtrues ordinerë paguhen.

I sqarojmë gjithashtu se Presidenti Meta nuk ka nevojë të lobojë, as në të bardhë, e as në të zezë.