Zeka: AKR-ja sot largohet nga koalicioni me LDK-në dhe i bashkohet PAN-it

04.09.2017 14:07:33

Ultimatumi i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, dhënë partnerit të koalicionit, LDK-së dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” për gjetjen e një gjuhe të përbashkët për bashkëpunim, përfundon sonte.

Me këtë rast, deputeti i NISMA-s Milaim Zeka, ka thënë se partia e Behgjet Pacollit do të largohet nga koalicioni LAA, pjesë e të cilit ishte deri më sot dhe të kaloj në radhët e PAN-it.

“Sonte kalon afati i Behgjet Pacollit dhënë LDK-së dhe Vetëvendosjes. Meqenëse nuk ka një marrëveshje mes këtyre dy partive, Pacolli do të largohet nga LAA, do të formojë grup të vetin parlamentar dhe do të bashkohet me koalicionin PAN”, ka thënë Zeka për zeri.info.

Më tej, deputeti i NISMA-s ka shtuar se janë pikërisht akterë të ndryshëm në mesin e LDK-së dhe Vetëvendosjes të cilët kanë qenë kundërshtarët e një marrëveshje eventuale mes palëve.

Sipas tij, gabimi më i madh që këto dy blloqe politike kanë bërë, ka qenë fakti që kanë bllokuar punën institucionale në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

”Po të zgjidheshin organet e Kuvendit, LDK-së dhe Vetëvendosjes edhe do të mund tu vinte rendi për të formuar Qeverinë. Mirëpo tani kanë humbur cdo shans”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.

Në fund, Zeka ka thënë se veprimi i Pacollit për të lënë LAA-në dhe për të kaluar në radhët e PAN-it është veprim në të mirë të shtetit dhe qyetarëve të Kosovës.

“Besoj se tani janë pjekur kushtet që të thirret seanca konstituive dhe të nis themelimi i institucioneve të reja”, ka përfunduar Zeka.