Zeka: Vetëm 5 deputetë pritën mysafirët e huaj në Kuvend (Foto)

18.02.2018 23:11:02

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka publikuar disa fotografi në llogarinë e tij në Facebook dhe ka theksuar se në seancën solemne të Kuvendit për 10 vjetorin e pavarësisë, kur kanë hyrë në sallë mysafirët e ftuar, brenda në sallën e Kuvendit ishin vetëm 5 deputetë.

Postimi i deputetit Milaim Zeka:

“Po ndaje disa foto me ju sot, ne 10-vjetorin e pavaresise.

Kur hyne ne salle kongresiste amerikan, deputet evropian e te huaj, brenda ne sallen e Kuvendit ishin vete 5 deputet…”, ka shkruar Zeka në Facebook.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kishin ardhur mysafirë, ish i dërguari special i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, William Walker, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, shefja e zyres së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.