Zeman nis zyrtarisht mandatin e dytë si president i Çekisë

08.03.2018 17:57:08

Presidenti çek Millosh Zeman ka kryer betimin për mandatin e tij të dytë në këtë pozitë, derisa ka përdorur ceremoninë për përmendur “manipulimin” e mediave.

Zeman 73 vjeçar, një ish-komunist me qasje pro-ruse dhe kundër migrimit, ka kryer betimin, gjatë një sesioni të përbashkët të të dyja dhomave të parlamentit në Kështjellën e Pragës.

Disa mysafirë janë larguar në gjysmë të fjalimit, duke përfshirë disa ligjëvënës, pasi ai ka kritikuar televizionin çek dhe disa media të tjera.

Zeman është zgjedhur president për herë të parë më 2013 gjatë një procesi të drejtpërdrejtë të votimit, ndërsa është rizgjedhur në këtë post në muajin janar të këtij viti.

Kushtetuta çeke e kufizon mbajtjen e postit të presidentit në dy mandate.

Në zyrë, Zeman ka shkaktuar situatë kontroverse duke denigruar myslimanët dhe duke shprehur mbështetje për Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve në mes të Moskës dhe Perëndimit, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, luftës civile në Siri dhe çështje të tjera.

Gjatë vizitës së Zemanit në Rusi në muajin nëntor, Putin i ka thënë presidentit çek se marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Pragës janë duke u zhvilluar “falë përpjekjeve të Zemanit, pavarësisht të gjitha problemeve dhe gjërave të tjera”.