Zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi komunën e Junikut

09.03.2017 16:22:25

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka vizituar Komunën e Junikut, ku u prit nga kryetari i Komunës, Agron Kuçi.

Sipas një njoftimi, gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi është njoftuar nga kryetari Kuçi me punën që po bënë Komuna e Junikut në përmirësimin e mirëqenies së jetës së qytetarëve të Komunës, në veçanti me nevojat dhe kërkesat që kanë prodhuesit vendor.

“Do ta kemi një bujqësi më të mirë sesa që e kemi sot dhe besoj se do të arrijmë të kalojmë nga sistemi i dhënies se granteve në sistemin e subvencionimit të kamatave sepse po del se më mirë është që të subvencionojmë kamatën për ata fermerë që janë në gjendje të ballafaqohen me tregun.

Çështja e granteve ka qenë në kohën kur ka qenë e domosdoshme mirëmbajtja sociale e njerëzve që nuk kanë pasur njohuri të mjaftueshme për treg”, ka thënë zëvendëskryeministri Kelmendi.

Më tej zëvendëskryeministri Kelmendi ka thënë se po punohet në pakon fiskale 2 e cila është e mirëseardhur për prodhuesit vendor.

Sipas njoftimit, kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi e ka njoftuar zëvendëskryeministrin me sfidat me të cilat përballet komuna në zhvillimin ekonomik.

Ai ka thënë se objektiv strategjik i komunës është zhvillimi i bujqësisë, turizmit dhe ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore.