Zëvendësministri, Anton Berisha: Egjipti është shtet serioz, nuk e tërheq njohjen ndaj Kosovës

09.01.2018 11:23:38

Ministria e Punëve të Jashtme nuk frikësohet nëse Egjipti mund ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës, ashtu siç raportojnë  mediat serbe se ky shtet është duke shqyrtuar mundësinë për ta bërë një gjë të tillë.

Sipas zyrtarëve të ministrisë së Punëve të Jashtme, nuk ka asnjë informacion se Egjipit mund ta tërheq njohjen.

Zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha ka thënë për lajmi.net se Serbia po bënë propagandë në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Egjipti është shtet me traditë mijëravjeçar dhe nuk bie pre e propagandave.

“Egjipti është shtet serioz nuk është sikur disa që e kemi mësuar emrin e tyre pas njohjes. Është shtet i traditës është mijëra vjeçar, dhe nuk mundet me ra pjesë e këtyre propagandave  të tipit Surinami”, ka thënë Berisha për lajmi.net.

Kujtojmë se kohë më parë shteti i Surinamit ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Egjipti kishte njohur pavarësinë e Kosovës në qershor të vitit 2013, në kohën kur ky shtet udhëhiqej nga Mohamed Mursi, i “Vëllazërisë Myslimane”.

Por gazeta serbe ‘Politika’ ka shkruar se kjo njohje ka qenë vetëm gojarisht.

Ministria e Jashtme e Kosovës në atë kohë kishte thënë se njoftimi për njohje është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Egjiptit.

Kosova deri më tani është njohur si shtet nga 114 vende të botës.