Zëvendësministri i FSK-së: Forca me standarde të NATO-s, sistemi i pajisjeve do të jetë model amerikan

12.12.2018 16:17:08

Për Kosovën do të jetë një ditë e madhe miratimi i projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi FSK-ja është një garanci për sigurinë dhe stabilitetin në vend.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani, në një intervistë dhënë për media.

Ramadani tha se FSK-ja i ka aleatët e saj dhe se ky transformim do të bëhet në bashkëpunim me ta.

“Të gjitha procedurat kanë shkuar në rregull. Pritet miratimi unanim nga parlamenti i Kosovës. Do të doja që të premten të votojmë për forcën tonë sepse kjo është një garanci për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Do të ndodh një ndryshim i madh në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Do të jetë një ditë e madhe për Kosovën. Forca jonë është bërë me aleatët dhe partnerët kryesorë. Transformimi po bëhet në bashkëpunim me ta. Këtu nuk ka asnjë dilemë. Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe për këtë. Saktë dhe qartë, forca jonë sikurse është zhvilluar deri tash do të zhvillohet në partneritet më aleatët tanë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu tha se duhet të mirëkuptojmë NATO-n pasi jo të gjitha shtetet anëtare në NATO kanë qëndrim të njëjtë për Kosovën.

“Spanja që ka qëndrim të ashpër ndaj shtetësisë së Kosovës dhe jo ndaj Forcës. Duhet ta mirëkuptojmë këtë situatë në NATO pasi jo të gjitha vendet anëtare të saj kanë qëndrim të njëjtë. Raportet që ka Kosova me NATO-n nuk do të ndryshojnë në asnjë pikë”, shpjegoi Ramadani.

Ramadani gjithashtu tregoi se investimet në FSK që janë bërë nga Qeveria e Kosovës këtë vit dhe ardhja e pajisjeve të blinduara kanë qenë një koincidencë e periudhës kohore.

“Ka pas koincidencë të periudhës kohore sepse Qeveria ka investuar në forcë këtë vit në mënyrë të paprecedent në krahasim me vitet tjera. Prioritet qeveritar për Haradinajn është FSK-ja. Si e tillë më 5 shkurt Qeveria ka vendosur në procedurë të përjashtuar blerjen e tyre. Një pjesë e kemi blerë, por ardhja e pajisjeve të blinduar është koincidencë e kohës. Është proces i vazhdueshëm i investimit. SHBA-ja është kontribuuesi kryesorë në Kosovë”, sqaroi ai.

Zv.ministri Ramadani potencoi se standardi i Forcës do të jetë plotësisht i NATO-s ndërsa sistemi i pajisjeve do të jetë model amerikan.

“Besojmë që mirëmbajtja e një modeli është jashtëzakonisht e rëndësishme. Forca jonë do të ketë standard të NATO-s. Forca është plotësisht operacionale në mandatin aktual. Kapacitetet aktuale të forcës do të mbeten në forcë si kapaciteti i kërkim – shpëtimit, mjekësore, emergjenca etj. Nuk kemi plan që t’i largojmë, ndërsa rritja është procesi që do të fillojë. Tranzicioni i Forcës do të fillojë me trajnimin e doktrinës dhe pjesëtareve të Forcës. Kjo është dhe një prej propagandave më të këqija që ka vënë Serbia. KFOR-i do të jetë në Kosovë me mandatin që ka, 1244”, tha ai.

E sa i përket se si do ta shënojë Kosova ditën kur do të miratohen projektligjet e FSK-në në Kuvendin e Kosovës, ai tha se do të ketë një ceremoni protokollare.

“Pas miratimit të ligjit do të jetë ceremoni shtetërorë në Ministrinë e FSK-së, si e tillë do të ketë ceremoni protokollare. Do të ketë shfaqje të një dokumentari të shkurt të Forcës sonë. Në pjesën e jashtme do të ketë pajisje ku do të tregohet që Forca po bëhet”, tha ndër të tjera zëvendësministri i Ministrisë së FSK-së, Burim Ramadani.