Zgjatet mandati i anëtarëve të bordit të AKP-së

23.02.2018 17:07:25

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar Raportin me rekomandime të Grupit Punues lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Me shumicë votash është zgjatur mandati i anëtarëve të AKP-së nga 2 vite sa kanë qenë, në 4 vite prej mandatit të ardhshëm.

Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se 12 amandamente që janë propozuar nga Lista Serbe për plotësimin e ligjit të AKP-së janë hequr për shkak se ishin politike.

“Janë gjithësej 18 amandamente që i kemi amandamentuar kurse 12 të Listës Serbe që i ka propozuar i kemi heq sepse kanë qenë më shumë poltike. Ndërkaq zgjatja e mandatit të anëtarëve të bordit të AKP-së ngjalli debat dhe propozime të ndryshme se sa vite duhet të jetë ky mandat. Mirëpo me 5 vota për u votua mandati 4 vjeçar për antarët të cilët do të vijnë në bord të AKP-së, ky mandat skadon menjeherë pas 4 viteve, pa pasur një afat shtesë”, tha Abdixhiku.

Naser Osmani propozoi që antarët e bordit të AKP-së të kenë mandat 3 vjeçar.

“Mendimi im është qe mandati të bëhet 3 vjet me mundësi të rizgjedhjes. Mandati i fituar në Kuvend është i njëjtë është një procedurë”, tha Osmani.

Avni Jasharaj nga AKP-ja, tha se mandati 2 vjeçar ka dalë të jetë i pasuksesshëm.

“Praktika jonë në 8 vitet e kaluara është që mandati 2 vjeçar nuk është i mjaftueshem me e zbatu ligjin e AKP-së. Praktika ka treguar që ndërrimi i shpesht i antarëve ka qenë praktikë jo e mirë”, tha Jasharaj.

Blerim Kuqi tha se mandati i antarëve të AKP-së duhet të jetë 4 vite dhe nuk ka nevojë të ndryshojë nga agjencitë e tjera, raporton Ekonomia Online.

“Po më duket e pakuptimt me qenë 2 vjet sepse edhe nuk është mandat. Pse duhet të ndryshoj AKP-ja prej ndërmarrjeve tjera dhe mos me pas bordet e tyre 3 ose 4 vjet. Kurse 2 vjet janë shumë pak. Unë jam për 4 vjet”, tha Kuqi.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje, tha se nëse argumenti i vetëm është veç mos ambientimi i antarëve për 2 vite, atëherë ai është kundër.

“Për mua nuk është argument i mjaftueshëm për 2,3 ose 4  antarë nuk munden mu ambientu. Ne nuk duhet me zgjedhë njerëz për me u mësu. Ata duhet me qenë të gatshëm me punu. Për mua argument kish qenë nëse agjencioni kish pas plane afatgjate. Nëse bëhet veç pse antarët nuk munden mu ambientu, unë jam kundër”, tha Molliqaj.

Këshilltari i ministrit të financave, Lulzim Rafuna, tha se mandati do të duhej të ishte 4 vjeçar për shkak të efikasitetit të punës.

“Ne e kemi pas parayshë që agjencioni mos me pushu. Mos me pas vakum të bordit aktual, dmth mos t’i përfundoj mandati deri të zgjedhet i riu, ne kemi mendu që me pas mandatin 4 vjet sepse shumica absolute e kanë 4 vjet”, tha Rafuna.

Safete Hadergjonaj tha se sikur të ishte e mundur do t’i hiqte bordet dhe do të funksiononin pa to.

“Sa herë flasim për këto borde jam në tension. Me pas mundësi i kisha hjek krejt bordet dhe i kisha lan me funksionu vetëm në bazë të kryeshefave. Ndoshta janë rregulla ndërkombëtare, bile është mirë me hulumtu a ka mundësi me i hjek këto borde krejt. Unë e përkrahi mendimin e Naser Osmanit”, tha Hadergjonaj.