Zgjedhja e Presidentit, Rama takon Metën në Kryesinë e Kuvendit

27.04.2017 16:36:14

Pak orë  pas fillimit të seancës së radhës plenare, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta kanë zhvilluar një takim paraprak në Kryesinë e Kuvendit.

Sot në rendin e ditës është edhe votomi për Presidentin e ri, por mazhoranca ende nuk e ka një emër, që do të thotë se edhe raund i tretë mund të digjet.

Takimi mes tyre nuk ka zgjatur shumë dhe thuhet se palët nuk kanë rënë dakord mes tyre.

Një ditë pasi dy negociatorët e BE-së, Knut Fleckenstein dhe David McAllister dështuan në Tiranë për gjetjen e një konsensusi me palëve, kryeparlamentari Ilir Meta thirri dje të gjitha partitë parlamentare në një takim për të diskutuar për zgjidhjen e krizës politike.

Në takimin 90-minutësh, i cili filloi në orën 19:00, nuk ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, pasi ndodhej në Korçë në një takim me të rinjtë socialistë.

Po kështu kjo mbledhje u refuzua edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili pas një takimi me aleatët vendosi të bojkotojë këtë tryezë të thirrur nga Meta.

Në këtë takim mësohet se është diskutuar edhe për rekomandimet për Reformën Zgjedhore nga OSBE/ODIHR.

Kjo lëvizje e Metës, vjen menjëherë pas takimit që ai pati mesditën e djeshme me trojkën e ambasadorëve të akredituar në Tiranë si edhe pas bashkëbisedimit, që po dje ai zhvilloi me kryeministrin, Edi Rama.

Por në përfundim të këtij takimi, mesa duket rezultatet nuk kanë qenë ato të dëshiruarat.

Në këtë takim, PS-ja përfaqësohej nga deputetët Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla. Pjesë e takimit ishin edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, dhe deputetja Mesila Doda, si dhe kreu i LIBRA-s Ben Blushi.