Zgjedhja e Trumpit për President nuk është lajm i mirë për Kosovën, tha Lunaçek

10.11.2016 18:50:30

Derisa, Bashkimi Evropian përsërit vazhdimisht se kriter për liberalizim të vizave për Kosovën është miratimi i projektligjit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, një gjë të tillë nuk e garanton Ulrike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën.

Ajo në një konferencë që mbajti sot pasdite në Prishtinë, e pyetur nga KosovaPress për se në rast se miratohet demarkacioni me Malin e Zi a garanton BE liberalizimin e vizave, tha se nxitë politikanët dhe deputetët që ta miratojnë demarkacionin, ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse këtë e dëshiron Bashkimi Evropian, por, sipas saj, kjo është edhe në të mirë të Kosovës për qytetarët e saj për një jetë më të mirë.

“Jo, nuk ka garanci 100 përqind, por nëse nuk bëhet atëherë është e garantuar se nuk do të bëhet liberalizimi. Por, në momentin që arrihet ratifikimi dhe trajtohen rastet për krim të organizuar dhe korrupsion, kjo do të paraqitet në Këshill. Dhe ne pastaj, e kemi çelësin që të sigurohemi se Kosova duhet të udhëton pa viza. Jam e bindur se gjasat janë të mira dhe nëse Kosova i përmbushë këto dy kritere, Parlamenti Evropian do të ketë ndikim”, theksoi Lunaçek.

Raportuesja për Kosovën deklaroi se kriteret e lartë-përmendur janë në duar të politikanëve, sepse qytetarët e Kosovës meritojnë të udhëtojnë pa viza nëpër Evropa. Ajo shpreson se përmbushja e këtyre dy kritereve të BE-së do të arrihet.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë që të udhëtojnë për tre muaj në BE dhe në shtetet anëtare të BE-së, jam e bindur për këtë. Por, tash topi është në anën politikanëve kosovar dhe çelësi është në duart e tyre. Andaj, shpresoj se këtë do e bëjnë sa më shpejt që është e mundshme”, tha ajo.

Duke folur edhe për zgjedhjet në SHBA, Lunaçek tha se zgjedhja e Donald Trumpit, nuk është lajmi më i mirë, ku shtoi se do të parapëlqente që Hillary Clinton të fitonte, sepse një president që ndihet krenar për marrëdhëniet e mira me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, askush në BE nuk e do këtë synim. Ndaj, Lunaçak për këtë dhe arsye të tjera fton politikanët kosovarë që t’i realizojnë premtimet që i kanë dhënë dhe gjërat që i kanë nënshkruar.

“Zgjedhja e Donlad Trump do të thosha së paku për Kosovën e frikohen, se nuk është lajmi më i mirë. Do të ishte shumë më mirë dhe unë personalisht do të parapëlqeja që Hyllary Clinton të kishte fituar. Sepse, një president, i cili ndihet krenar për marrëdhëniet e mira me Putnin, askush nga ne në BE dhe Ballkan nuk e dom këtë synim. Prandaj, situata është serioze dhe për këtë unë fuqishëm kërkoj nga politikanët Kosovar që t’i realizojnë premtimet, të cilat i kanë dhënë apo për gjërat të cilat i kanë nënshkruar”, theksoi Lunaçek.

Raportuesja për Kosovën ka thënë se hapat konkret për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, do të paraqiten në një raport nga ana e komisionarit për zgjerim, Johannes Hahn, i cili të premten do të vizitojë Kosovën. Sipas saj ky raport ka të bëjë kryesisht me ekonominë, me atë se si të krijohen më shumë vende të punës. Lunaçek tha se njëra është për të investuar në arsim dhe se kjo kombinohet me nevojën për tregun e punës dhe çka mund të mësojnë njerëzit për t’u punësuar më vonë. Prandaj, kjo është në agjendën e reformës evropiane. Ajo ka thënë se është e rëndësishme që edhe joshja e investimeve të huaja. Kjo sipas saj, mund të behet me zbatimin e prokurimin elektronik, gjë që tha se do të rriste transparencën si hapin më të mirë në luftën ndaj korrupsionit.

Lunaçek në këtë konferencë ka uruar gjudisten Majlinda Kelemndi, për medaljen olimpike të fituar në lojërat olimpike të mbajtura në Brazil.