Zgjedhjet, Borchardt: Policia të jetë e paanshme dhe me dinjitet

20.03.2017 10:28:22

Gjatë një takimi në kuadër të nisjes së procesit të trajnimit të punonjësve të policisë, së shtetit mbi detyrat që do të kenë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 18 qershorit, ambasadori i OBES-së, Bernd Borchardt, nxiti uniformat blu që të jenë të apaanshëm.

Ai i bëri thirrje atyre që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të kanabisit. “Ju respektojnë sepse jeni të ndershëm, të paanshëm dhe të gatshëm për të dhënë ndihmë kur ajo nevojitet. Ju dhe ne së bashku kemi bërë mjaft progres që nga zgjedhjet vendore të 2007, të cilat ishin të parat që ndanë policinë nga përfshirja politike në procesin zgjedhor. Raportet e fundit të OSBE-ODIHR që atëherë kanë vërejtur në trend pozitiv rolin e policisë gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe këtë rol ne presim dhe besojmë se do ta ruani”.

Sipas Borchardt, “zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, ju gjithashtu duhet të vazhdoni të realizoni detyrat tuaja të përditshme dhe sidomos në luftën kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit të organizuar dhe sidomos në luftën kundër kanabisit. Kam besim që policia e shtetit do të jetë e paanshme në këtë proces të rëndësishëm zgjedhor dhe do të veprojë me profesionalizëm dhe dinjitet”.

Ambasadori nënvizoi se prezenca e OSBE-së në vendin tonë, do të vijojë bshkëpunimin për zgjedhjet elektorale edhe në të ardhmen.