“Zgjedhjet do të ngadalësojnë proceset integruese të Kosovën”

12.08.2019 11:38:26
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme ngadalësojnë proceset integruese të vendit.

Zgjedhjet e reja të parakohshme, do t’i ngadalësojnë proceset integruese për Kosovën, ndërsa do të krijohet një mundësi e mirë për Serbinë që të përshpejtojë agjendën e saj kundër Kosovës.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë për Ekonomia Online, se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë, për të implementuar planet negative ndaj Kosovës.

“Dinamika e zhvillimit është dukshëm e ngadalësuar dhe kjo dukshëm pa asnjë dilemë mund të shfrytëzohet nga aktorë të tjerë për të përshpejtuar agjendën e tyre, në radhë të parë Serbia, pra për të implementuar çfarëdo plani jo të mirë, negativ që kanë pasur deri më tash për Kosovën”, thotë ai.

Hoti shton se gjendja e krijuar pas dorëheqjes së Haradinajt dhe mundësia për shkuarje në zgjedhje të reja, do të ndikojnë negativisht, në rrugën e Kosovës në integrim evropian, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, liberalizimin e vizave, e dialogun.

“Nëse kemi këtë situatë atëherë është krejt e kuptueshme që agjenda qoftë për integrim evropian po edhe për politikën e jashtme me theks të posaçëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare ka me shënuar ngecje”, thotë ai.

E për të vazhduar rrjedhën normale të këtyre proceseve, ai e sheh si prioritet përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, që do të çonte në anëtarësim të Kosovës në BE e OKB.

“Mendoj që e para dhe para së gjithash është e patejkalueshme çështja e përmbylljes së raporteve ose një marrëveshje përfundimtare për ta hequr çfarëdo dileme që Kosova ka në paraqitjen e saj si subjekti së drejtës ndërkombëtare. Kjo arrihet në proces të dialogimit dhe hap shtigje dhe rrugë për anëtarësim të Kosovës, qoftë si subjekt i barabartë në BE, duke marrë edhe ulësen në OKB”, thotë ai.

Mirëpo, para të gjithave, Hoti thotë se vendi ka nevojë urgjente të adresojë çështje të brendshme.

“Sa do të jetë i përmbyllur ky prioritet i Kosovës, vendi ka nevojë urgjente të filloj me adresimin e çështjeve të brendshme, duke filluar nga zhvillimi ekonomik në radhë të parë, nga fillimi i vendeve të reja të punës për të rinj që për momentin janë të paperspektivë dhe sektorë të tjerë, si shëndetësia, arsimi dhe një listë e tërë e nevojave tona”, thotë ai.

Hoti tha se përbërja e re në parlamentin evropian nuk do ta ndryshojë pikëpamjen e saj karshi Kosovës.

“Ndryshimet e lidershipit në BE nuk shoh që mund të sjellin ndonjë devijim nga kjo rrugë, sepse është interes i Ballkanit Perëndimor për të qenë në BE ashtu siç është interes evropian për ta pasur Ballkanin Perëndimor në gjirin e vet”, thotë ai.