Zgjedhjet e 22 tetorit më të rëndësishmet dhe më përcaktueset se të gjitha zgjedhjet tjera lokale

24.09.2017 12:11:38

Nga Rexhep Kastrati

Zgjedhjet lokale në Kosovë, sikurse çdo herë tjetër, dhe sikurse edhe zgjedhjet e përgjitshme, janë historike në kuptimin se refelektojnë dimesnione përtej karakterit të tyre lokal dhe për pushtetin administrativ komunal.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është më e madhe për faktin se tashmë është bërë e qartë se komunat kanë dimesnione më të gjera sesa që është menduar më parë, pra të thjesht një qyteti periferike, të një komune të vogël sa një lagje e një qyteti më të madh dhe që merren me vetveten.

Rasti i demarkacionit ka dëshmuar se komunat kanë dimensione edhe rajonale, sidomos kur ato janë në zona kufitare, për shkak se edhe me kushtetutën tonë, por edhe me ligjin ndërkombëtar, territori i komunave kufitare është përcaktues për kufijtë ndërshtetërorë.

Rasti i demarkimit të kufirt me Maqedoninë do të duhej të vinte në pah rëdësinë e komunave dhe të pushtetit komunal, kurse rasti i demarkacionit me Malin e Zi, e ka nxjerr tashmë në pah pikërisht përcaktimin e rëndësisë së kufijve komunalë, përkatësisht të parcelave kadastrale.

Në legjislaturën e kaluar, është keqpërdor territori, janë keqpërdorë rajone të veçanta për të nxitur reagime agresive, të dhunshme, anarkiste dhe tribale. Madje janë derdhë edhe lotë krokodili bazuar në dimensione feudale dhe tribale të percepimit të territorit komunal.

U shqye gurmazi për Rugovën dhe rugovasit, pa u konceptuar territori komunal si një tërësi unike dhe që bazohet në parime të njohura ndërkombëtarisht, siç janë parimi i kadastrave, i përputhshmërisë së parimeve kushtetuese të vendit me ato ndërkombëtare, dhe i respektimit të marrëveshjeve ndrëkombëtare.

Kjo shqyerje gurmazi, këto grimasa dhe këto sjellje histerike jo vetëm që terrorizuan qytetarët, jo vetëm që vunë në dyshim stabilitetin dhe funskionalitetin e vendit, por edhe blatuan një mendësi tribale, feudale dhe privinciale që vuri individin, hiperbolizimin e tij, glorifikimin dhe dhënien e rolit përcaktues të tij për proceset në dëm të vetëdijes institucionale, shtetërore dhe kombëtare.

Të gjitha këto synonin që tribalizimin politik ta bënin dominues dhe ta rrënonin vetëdijen shtetërore, me synimin për t’i defunksionalizuar institucionet, për ta defunksionalizuar shtetin.

Një faktor tjetër që ka përcaktuar peshën e komunave dhe të pushtetit komunal, është faktori politiko-institucional, përaktësisht trajtimi i komunave në bazë të parapëlqimeve partiake. Përjashtuar Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa, Qeveritë tjera kanë keqpërdorë buxhetin dhe burime të tjera financiare për të favorizuar komunat ku e ka pushtetin partia apo koalicioni qeverisës, për të mashtruar dhe blerë votat e qytetarëve.

Këto kanë ndikuar në absolutizimin e pushteteve, në pengimin e demokratizimit të vendit, në pengimin e funksionimit të shtetit në bazë të ligjit dhe të kushtetutës, në mbrojtjen e burimeve të krimit dhe të korrpsionit dhe të realizimin e formave më të rënda të keqpërdorimit dhe të përvetësimit të pronave publike, shtetërore, por në raste edhe të atyre private.

Në shumë raste, kolozioni ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal ka rezultuar me mashtrime, siç është rasti me komunën e Prizrenit, ku kryeministri i vendit dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi premtonte projekte dhe investime kapitale dhejtramilionëshe e qindramilionshe, por që kurrë nuk i ka realizuar, dhe edhe dhjetë vjet në pushtet, nuk është bërë asnjë investim i premtuar.

Këto zgjedhje lokale, dimsenionojnë edhe një herë vetëdijen e qytetarëve, pjekurinë e tyre politike, dinjitetin qytetar, por edhe vlerësimin për votën e tyre të dhënë më 11 qershor, në zgjedhjet e përgjitshme.

Është koha që të analizohet sjellja e partive politike gjatë legjislaturës së kaluar, shkaqet reale të dhunës, anarkisë dhe bllokimit të institucioneve të shtetit, premtimet zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit dhe sjelljen e të njëjtave parti pas atyre zgjedhjeve.

Pra, në këto zgjedhje, vetëdija tribale duhet të zëbendësohet me vetëdijen shtetërore që komunat i trajton si strukura autonome brenda shtetit, por edhe si strukura me dimensione rajonale që kanë mundësi që për mirëqenien e qytetarëve, për zgjedhjen e halleve dhe nevojave të tyre të realizojë politika dhe strategji shumëfunksionale, të ndrërpesë strategjinë e mashtrimit dhe të kolozionit ndërmjet dy pushteteve: atij qendror dhe lokal, si dhe të rivlerësojë votën e dhënë më 11 qershor.

Nga të gjitha këto do të varet jo vetëm fati i mirëqenies së qytetarëve, jo vetëm zgjidhja e nevojave të tyre, por edhe fati i demokratizimit dhe zhvillimit të vendit, fati i proceseve të rëndësishme në vend.