Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut/ Si e gjejnë faktorin politik shqiptar?

28.01.2020 12:46:55

Pas shumë zhvillimeve të rëndësishme dhe një paqëndrueshmërie politike të vazhdueshme, duket se Republika e Maqedonisë së Veriut do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, zgjedhje këto që janë caktuar të zhvillohen më 12 prill.

Në fakt këto zgjedhje e gjejnë faktorin politik në tërësi, por sidomos atë shqiptar në veçanti shumë të ndarë e të përçarë. Kështu boshti politik sllavo-maqedonas karakterizohet nga përplasja mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Duhet thënë që VMRO-ja vazhdon të mbetet tërësisht e parefromuar që nga koha që drejtohej nga Nikolla Gruevski. Një parti antishqiptare dhe e mbështetur në retorikën populiste e nacionaliste.

VMRO-ja vazhdon të mos njohë akoma Marrëveshjen e Prespës dhe “Ligjin e Gjuhëve” që i jep gjuhës shqipe statusin e gjuhës zyrtare. Gjithashtu ajo vazhdon ta akuzojë kryeminsitrin Zaev se ka bërë pakte për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, por edhe për mosarritjen e rezultateve në drejtim të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër e kësaj analize qëndron boshti i partive shqiptare, që fatkeqësisht në gjithë këto vite akoma nuk ja ka dalë të faktorizohet. Zgjedhjet e 12 prillit i gjejnë partitë politike shqiptare të përçara dhe me qëndrime thuajse diametralisht të kundërta me njëra tjetrën.

Në vend që t’i bëjnë opozitë qeverisë maqedonase apo edhe të bashkohen me këtë të fundit për hir të interesave të shqiptarëve, partitë politike shqiptare në RMV i bëjnë opozitë e luftë njëra-tjetrës. Kjo e ka defaktorizuar faktorin tonë politik në Maqedoni duke e shpërqendruar fuqinë dhe ndikimin e tij.

Aq i defaktorizuar është faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut saqë merret akoma me të drejtën e përdorimit të gjuhëve. Një çështje kjo që as duhej artikular tashmë, pasi duhej të ishte garantuar e mbaruar me kohë.

Por edhe tezat kombëtare, e “dëshira” për bashkimin e shqiptarëve duket se nuk do t’u bëjë punë partive politike shqiptare, pasi tanimë shqiptarët në Maqedoni janë të lodhur nga këto teza sa herë zhvillohen zgjedhje.

Ndaj edhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është e vogël zakonisht. Pa llogaritur se shumë vota në zgjedhjet e kaluara i kanë shkuar LSDM-së. Me statistikat e Komisionit Zgjedhor llogaritej që deri në 35 mijë shqiptarë të kenë votuar për LSDM-në, por në fakt edhe sipas analistave shqiptarë atje thuhet që kjo shifër të ketë qenë edhe më e madhe. Gati dyfishi i saj.

Faktori politik shqiptar nuk mund të vazhdojë ta shohë veten si 20 përqindësh, pasi nëse vazhdon me këtë frymë do të rrezikojë të bjerë edhe nën 20 përqind. Kjo si pasojë e zhgënjimit të skajshëm të popullsisë shqiptare duke mos marrë pjesë në votime, por edhe si pasojë e largimeve të shumta ndër rradhët e shqiptarëve.

Është artikuluar jo pak në rradhët e opinionit publik shqiptar, por edhe ndër tezat e mjaft intelektualëve shqiptarë në Maqedoni se defaktorizimi i partive shiqiptare vjen si pasojë e lojës që bëhen nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Ndaj e vetmja mënyrë për t’a mundur BDI-në është bashkimi i 4 partive të tjera politike shqiptare.

Edhe pse duhet thënë që kjo është një gjë e vështirë për shkak të dallimeve ideologjike të këtyre partive, dhe artikulimeve politike të kundërta të liderëve të këtyre partive.

Më e mundshme është një aleancë parazgjedhore mes ASH-së dhe Lëvizjes Besa. Bashkëpunim ky që mund ta faktorizonte këtë aleancë mes të dy partive duke u dhënë deri në 8 mandate.

Por sesa e mundur është një veprim i tillë do të na duhet të presim datën e zhvillimit të zgjedhjeve.

E sigurtë është ndarja e mëtejshme e partive politike shqiptare do të rëndojë më tej pozitat e shqiptarëve në tërësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut.