Në Shqipëri: Zgjedhjet e qershorit, 3.5 milionë persona kanë të drejtë vote

09.05.2017 16:06:00

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar Listën Përfundimtare të Zgjedhësve për zgjedhjet e përgjithshme të datës 18 Qershor 2017.

Të drejtën e votës e kanë 3.451.896 shtetas. Ndër ta, 136.239 zgjedhës votojnë për herë të parë.  51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.

Në bazë të të dhënave të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2013.

Në listën e përditësuar është ulur numri i shtetasve pa adresë të përcaktuar, i dublikimeve, e po ashtu edhe i votuesve mbi 100 vjeçarë. Nga lista e re janë hequr gjithashtu emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘dekriminalizimit’.

Ministria e Punëve të Brendshme thekson se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi.

Për herë të parë, Ministria e Punëve të Brendshme në mbështetje dhe në zbatim të nenit 52, të Kodit Zgjedhor, siguroi dhe shpërndau fondin prej rreth 13.8 milion lekë, në dispozicion të Njësive të Qeverisjes Vendore për procesin e njoftimit të zgjedhësve derë më derë.

Në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 ka 1.367 subjekte të bllokuara, si objekt për herë të parë i ligjit të dekriminalizimit.

Në listën përfundimtare për zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 janë 1.489 persona që kanë mbushur moshën 100 vjeç, të bllokuar në listën e zgjedhësve me metoda informatike.