Zgjedhjet në Dibër – sot heshtje zgjedhore

Zgjedhjet në Dibër – sot heshtje zgjedhore

10.09.2016 09:46:34

Sot është heshtje zgjedhore, pas mbylljes një ditë më parë të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Dibër, që do të mbahen të dielën në këtë qark.

Sipas Kodit Elektoral (neni 77), 24 orë para datës së zgjedhjeve përfundon fushata e partive politike, duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore.

“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të ligjit zgjedhor.

Në zgjedhjet për bashkinë Dibër janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 19 subjekte zgjedhore, 16 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të majtë, “Aleanca për Shqipërine Europiane”, që përfshin 4 parti dhe ai i spektrit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, që përfshin 12 parti. Në garë janë dy kandidatë, Muharrem Rama i Partisë Socialiste dhe Sherefedin Shehu i Partisë Demokratike.

57.018 zgjedhës janë thirrur të votojnë për kryetarin e ri të bashkisë Dibër, pas vendimit të qeverisë për shkarkimin e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili.